2 të mitur kanë rënë në prangat e policisë, pasi plagosën me thikë një 16-vjeçar në Shkodrë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:05, të datës 05.11.2023, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Vasil Shanto”.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për plagosjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit R. S., 16 vjeç, të kryer rreth orës 00:05, të datës 05.11.2023, pas një konflikti të çastit, në lagjen “Vasil Shanto”, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vijuar hetimet e thelluara për të përcaktuar plotësisht autorësinë e këtij rasti dhe për të zbardhur rrethanat e tij.
Në përfundim të veprimeve hetimore, si autorë të dyshuar të rastit, u arrestuan shtetasit A. N., 15 vjeç dhe M. M., 16 vjeç, të dy banues në Shkodër, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ndërkaq, shtetasi R. S. vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.