Shkrimtari më i njohur i hapësirës mbarshqiptare, Ismail Kadare, anëtar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri është zgjedhur edhe si anëtar i huaj i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.
Këtë e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave të Shqipërisë, përmes një postimi në rrjetet sociale bën me dije se akademiku Ismail Kadare është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi.
Lajmi bëhet i ditur nga letra që Presidenti i Akademisë, Akademik Dragan K. Vukčević, i cili i ka dërguar shkrimtarit.
“Është nderi dhe kënaqësia ime t’ju informoj se në Asamblenë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, mbajtur më 18 dhjetor, 2018, Ju jeni zgjedhur anëtar i huaj i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.
Jam i sigurt se me autoritetin dhe punën Tuaj profesionale, do të kontribuoni shumë në zhvillimin e mëtejshëm dhe reputacionin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi”, shkruan presidenti i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, akademiku Dragan K. Vukčević.
Anëtarët e Shkencave të Malit të Zi, kanë pasur dëshirë që Ismail Kadare të japë kontributin e tij të çmuar letrar edhe për vendin e tyre si një nga figurat letrare më të lakuara në Ballkan, gjithashtu disa herë kandidat për çmim Nobel dhe me një karrierë të gjatë në letërsinë shqiptare.