MENU
klinika

Nga Fatos Tarifa

O Moj Shqypni!

07.11.2023 - 18:25

(A tale in two parts)

1

I patë dje se ç’njerëzve u paguajmë, me taksat tona, rroga tremilionëshe çdo muaj? Rroga pesë herë më të larta se sa paga mesatare e qytetarëve të këtij vendi.

Për cilat merita? Për ç’punë të kryera? Për ç’kontribute në të mirën tonë, si qytetarë, dhe në të mirën publike të këtij vendi?

Dhe jo vetëm dje, tek i pamë të kacavirren kangjellave e dritareve të parlamentit si të ishin primatët tanë shimpaze apo bonobo, por çdo ditë në atë parlament të turpit e jo të punës, të shndërruar në një arenë grindjesh e në një teatër tragjiko-komik sharjesh e rrahjesh.

Le të qeshim me ta, sepse shumica e tyre për t’u qeshur kanë e qenë ose janë bërë, por edhe të mendojmë seriozisht e të biem dakord, si individë dhe si shoqëri, që të mos çojmë më njerëz si këta në parlamentin e Shqipërisë. Sepse ata nuk janë përfaqësuesit tanë; ata janë turpi i këtij populli dhe i këtij vendi.

2

E patë dhe e dëgjuat, po dje, kryeministrin tonë, që pa pyetur askënd, pa dashur t’ia dijë për askënd dhe për asgjë—absolutisht për askënd dhe për asgjë—pranoi (nëse nuk e propozoi ai vetë), vendosi dhe firmosi, si të ishte feudali i këtij vendi, monarku absolut apo një sulltan si ai i Bruneit, që një pjesë të territorit të vendit tone t’ia verë në dispozicion qeverisë italiane për të strehuar përkohësisht (për sa kohë?) dhjetra mijë emigrantë afrikanë që Italia vetë nuk i pranon?

Në Shëngjin! Në atë bregdet të bukur të Shqipërisë sonë, vendit që Pashko Vasa e ka pas quajtur “një zojë e randë”. Dhe në Gjadër.

Dhe thotë kryeministri ynë se jemi Europë, edhe pse një Europë “pa B”, pra jo qytetarë të Bashkimit Europian, si 448 milionë europianët e vendeve të BE-së. Europianë, edhe pse vetë Europa nuk na sheh e nuk na trajton si të tillë, por vazhdon të na mbajë jashtë portës së saj.

Por ç’rëndësi ka kjo në fund të fundit, nëse kryeministri ynë sillet e vepron si të ishte “më europian edhe se europianët” në raport me ta, sepse vepron në një mënyrë të tillë “europiane”, që liderët e vërtetë europianë as do guxonin të mendonin e të vepronin.

Pa pyetur askënd, as edhe vetë banorët e zonave që preken prej vendimeve të tij voluntariste e autoritariste!

Pa marrë mendimin e grupeve të interesit!

Pa u konsultuar me ekspertë!

Pa kërkuar një konsensus politik me partitë kundërshtare!

Ne u marrim europianëve çdo gjë që ata vetë, si europianë, nuk e duan. Dikur shpëtuam prej mbetjeve toksike, por dje u merrnim plehrat, pastaj muxhahedinët iranianë, sot refugjatët afrikanë. Nesër, me këtë kryeministër që kemi, kush e di çfarë tjetër.

Pse duhet kryeministri ynë të tregohet më katolik se Papa?!

Dhe, paturpësisht, kreu i qeverisë e “shpjegon” dhe e justifikon veprimin e tij të djeshëm—krejt të paarsyeshëm e krejt të papërgjegjshëm—me virtytet tona si popull:

(i) me mikpritjen tradicionale të shqiptarëve;

(ii) me jetët e hebrejve që populli shqiptar strehoi dhe shpëtoi gjatë viteve të murtajës naziste;

(iii) me ndihmën që fshatarët shqiptarë u ofruan ushtarëve të shpartalluar te Italisë fashiste që na pushtuan dhe që, pas kapitullimit të Musolinit, mbetën gërxheve tona, të braktisur nga vendi i tyre, pa bukë e pa shpresë;

(iv) me strehën që u ofruam gjysmë milion motrave e vëllezërve tanë kosovarë kur hordhitë e Miloshevicit i vranë dhe i dëbuan forcërisht nga shtëpitë e tyre;

(v) me “borxhin” që i kemi Italisë për pritjen e refugjatëve shqiptarë në fillim të viteve 1990, sikur refugjatët që do të strehohen këtej e tutje në Shëngjin e në Gjadër të ishin italianë—të vinin nga Bari, nga Brindisi e nga Sicilia—jo afrikanë nga Magrebi apo emigrantë nga Lindja e Mesme.

Kjo e tëra është një narrativë “fairy tale” dhe një demagogji populiste në emër të zakonit kanunor të mikpritjes, në emër të humanizmit, të europianizmit e të kozmopolitizmit të shqiptarëve.

Ne shqiptarët kemi qenë e jemi mikpritës, humanistë, europianë dhe kozmopolitë ndër shekuj, siç dëshmojnë prania dhe kontributet e shqiptarëve në shumë vende e rajone të botës—në Romë, në Padova e në Vienë, në Stamboll e në Athinë, në Bukuresht, në Kairo e në Kalkuta, në Nju Jork, në Boston e më Teksas.

Këto janë të vërteta, por zor se gjen njeri me një shkallë mesatare inteligjence që ta pranojë arësyetimin e kryeministrit dhe t’i besojë sinqeritetit të tij.

Por a do t’ia dijë vallë kryeministri se ç’mendoj unë, ti dhe të gjithë ne së bashku, si qytetarë të këtij vendi dhe si sovrani i vetëm dhe i vërtetë i tij?

Dihet se vetëm një feudal, një monark apo një sulltan nuk përgjigjet para askujt. Nëse s’janë besimtarë, ata s’përgjigjen as para Zotit.

Por, ndërsa feudali, monarku apo sulltani pronat dhe pushtetin e tyre brenda territorit të vendit të vet i kanë ose të trashëguara në familje, ose të legjitimuara në emër të vullnetit hyjnor, nga i burojnë këto të drejta (nga kushtetuta sigurisht që jo) dhe si pretendon legjitimitet mbi to kryeministri ynë socialist?

E vërteta është se ai as që mundohet ta vrasë mendjen për keto gjëra kaq të vogla. Gjëra si këto janë tepër të vogla e të parëndësishme për madhështinë dhe Madhërinë e Tij. Ai meriton—dhe kërkon—vetëm bindje e nënshtrim.

Bindje dhe nënshtrim edhe nga partia e tij. Edhe nga qeveria që drejton. Edhe nga parlamenti që kontrollon. Edhe nga populli, për të cilin çdo ditë e më shumë lë të puptohet se as që do t’ia dijë se ç’mendon ai e përse ka nevojë.

Nuk e di ju, por unë mendoj se kryeministri i Shqipërisë duhet të kujdeset për miradministrimin e pasurive të vendit të vet dhe me drejtimin e punëve të qeverisë së vet, jo me ato të qeverisë italiane.

Kryeministri i Shqipërisë lipset t’ua njohë nga afër dhe t’ua qajë më mirë hallet qytetarëve e fshatarëve, pensionistëve dhe shtresave në nevojë në vendin e vet, jo t’u qajë hallin refugjatëve libianë, marokenë e tunizianë, që Italia nuk i pranon.

Kryeministri i Shqipërisë e mban këtë detyrë jo për sytë e botës, por për hallet e vendit të vet, për të përmirësuar kushtet e jetesës, të punës e të shkollimit për qytetarët shqiptarë, në radhë të parë për të rinjtë që e kanë lënë Shqipërinë, ose që duan të largohen prej saj të zhgënjyer, të varfër e të pashpresë.

Kryeministri i Shqipërisë nuk e mban këtë detyrë për muxhahedinë nga Azia dhe refugjatë nga Afrika, për të cilët Shqipëria nuk është as edhe destinacion.

Kryeministri i Shqipërisë nuk e mban këtë detyrë për turistët e huaj, që këta të mbeten të kënaqur kur na vizitojnë për disa ditë, por për popullin e vendit të vet, për të përmirësur kushtet e jetesës e për të rritur mirëqenien e tij. Të popullit që është zoti dhe pronari i vërtetë i këtij vendi.

O Moj Shqypni!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN