Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ditën e sotme është thirrur në SPAK.
Meta ka thënë për mediat para hyrjes në godinë tha se është thirrur për çështjen ÇEZ-DIA.
“Jam thirrur për telenovelën ÇEZ-DIA. Meqë jeni lajmëruar herët dhe po përballoni dhe shiun. Është një telenovelë, që është e gjykuar nja dy herë, dhe është rihapur për rastin konkret në dhjetor të 2029 nga një kallëzues i rremë që është dënuar dy herë nga gjykata për shpifje dhe për dhunë në familje. Faleminderit”, tha Meta për mediat.
Skandali ÇEZ-DIA i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo fundit ia u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona.
Më pas, në vitin 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste, u bë edhe ndërprerja e kontratës që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.
Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë që drejtohej nga Damian Gjiknuri, kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat (Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë etj) dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq.
Por Prokuroria e Përgjithshme e mbylli dosjen. I vetmi i dënuar ishte Kastriot Ismailaj, pronari i Kompanisë DIA. Ish-administratori i DIA-s u vërtetua fajtor për akuzat penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”.
Teksa kërkoi lirinë, ai paraqiti 132 prova të reja, për të cilat argumentoi se nuk kishte pasur mundësi t’i siguronte më parë. Megjithatë sipas Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni Ismailaj i ka konsumuar veprat penale gjatë marrëveshjes CEZ-DIA, duke përfituar përmes mashtrimit një shumë prej 5 milionë euro. Pavarësisht kërkesave të tij të njëpasnjëshme për liri, ai u doli nga burgu në shtator të këtij viti, pas 9 vitesh burg.
Implikimi i Metës në aferën CEZ-DIA
Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Hetuesit mund të konfirmojnë udhëtimet e Metës në Çeki, por edhe çështjet e diskutuara.
Ndërkohë, vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt, 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.
Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve.
Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria Berisha-Meta. Pasi Ilir Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë implikimin e Metës në çështjen CEZ-DIA, kërkoi dorëheqjen dhe hetimin e tij.