Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla ka dhënë detaje në lidhje me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për sjelljen e emigrantëve në vendin tonë.
Në një intervistë për “DW”, Balla është shprehur se Italia Italia do t’i përdorë pa shpërblim zonat shqiptare. “Palës italiane i jepet vetëm e drejta e përdorimit të zonave të përcaktuara pa kundër-shpërblim. Zonat do të menaxhohen tërësisht nga pala italiane, sipas juridiksionit të shtetit italian, që do të jetë përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindin brenda këtyre zonave”, tha Ministri Brendshëm Balla për DË.
Ai theksoi se “në marrëveshje është dakordësuar që numri total i emigrantëve të pranishëm në këto zona nuk do të kalojë shifrën 3 mijë vetëve”, por burime zyrtare kanë bërë me dije se gjatë një viti numri i tyre mund të arrijë deri në 36 mijë.
Sa kohë do të qëndrojnë emigrantët në Shqipëri?
I pyetur se sa do të qëndorjnë emigrantët në Shqipëri, ministri tha se kjo ende nuk dihet, pasi koha do të varet nga zgjatja e procedurave të shtetit italian.“Migrantët do të akomodohen në strukturat pritëse vetëm me qëllimin e kryerjes së procedurave kufitare të riatdhesimit dhe pas përfundimit të tyre do të nxirren jashtë territorit të Shqipërisë, thotë Ministri Brendshëm Balla. “Afati maksimal i qëndrimit të tyre do të jetë në përputhje me afatin e përcaktuar në legjislacionin italian për këto procedura,” thotë Ministri Brendshëm Balla. Sipas tij “transporti në territorin e Shqipërisë dhe shoqërimi i emigrantëve pas përfundimit të procedurave jashtë këtij territori do të kryhet nga pala italiane me mjetet e saj”, thekson ai. Shqipëria në marrëveshje ka vetëm të drejtën për të marrë të dhënat e migrantëve që do të hyjnë në territorin e saj.
Siguria publike
Partia Demokratike, (PD) më e madhja në opozitën e Shqipërisë ka kërkuar interpelancë në Parlament lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni. Sipas saj kjo marrëveshje cënon sigurinë publike dhe nuk ka transparencë.
“Siguria brenda zonave të përcaktuara në marrëveshje do të garantohet nga pala italiane, që ka detyrimin për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike në perimetrin e brendshëm. Pala shqiptare angazhohet të ruajë rendin dhe sigurinë në perimetrin e jashtëm si edhe gjatë transportit të emigrantëve nga njëra zonë në tjetrën. Pala shqiptare ka rezervuar të drejtën për të pasur akses në zona vetëm në rast rreziku potencial, që do të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme”, tha Ministri Balla për DË.
Në Gjadër do të akomodohen vetëm ata emigrantë azilkërkues që do të riatdhesohen. “Migrantët nuk do të lejohen të dalin jashtë zonave të caktuara gjatë gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit në territorin shqiptar”, sqaron ministri Brendshëm Balla. Sipas tij të “gjitha shpenzimet për ngritjen e qendrave dhe infrastrukturës së tyre në zonat e caktuara lidhur me sigurinë do të mbulohen 100 përqind nga pala italiane.”./DW