Komisioni Evropian publikoi sot progres raportin për secili shtet të përfshirë në paketën e zgjerimit, ndër to, edhe për Shqipërinë.
Midis shumë çështjeve që trajtohen në këtë raport, mediat greke kanë zgjedhur të veçojnë një fragment, në të cilin përmendet edhe çështja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës i cili ndodhet ende në paraburgim për shkak të akuzave për blerje votash në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
“Progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, një shpresë në BE, nxjerr në pah rastin e Fredi Belerit, një çështje që vazhdon të shkaktojë tensione mes Athinës dhe Tiranës. Beleri ndodhet në paraburgim që prej muajit maj, duke u përballur me akuza për blerje votash, pas zgjedhjes së tij si kryetar i qytetit të Himarës me shumicë etnike greke në jug të Shqipërisë”, e nis lajmin e saj e përditshmja Ekathimerini.
Ndërsa raporti, i cili u publikua të mërkurën, pranon gjendjen e përgjithshme pozitive të marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë, ai vë në dukje se të drejtat pronësore të minoritetit grek në Shqipëri mbeten një pikë diskutimi në këto marrëdhënie.
“Paraburgimi i një kryebashkiaku të zgjedhur etnik grek, i cili u arrestua në prag të zgjedhjeve lokale dhe gjykimi i të cilit filloi më 14 shtator me akuzën për blerje votash, ka qenë burim tensionesh dypalëshe dhe ngre shqetësime serioze. thuhet në raport duke iu referuar Belerit.
“Kërkesat e tij për t’iu dhënë leje të posaçme për të bërë betimin janë rrëzuar dhe Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë caktimin e ankimit përkatës në gjykatë. Gjykata Kushtetuese pranoi në tetor të prononcohej për kushtetutshmërinë e procedurës penale gjyqësore pas arrestimit të tij”, thuhet në raport.
Në shkrim, theksohet se “është e rëndësishme të theksohet se këto komente gjenden në seksionin për marrëdhëniet e mira fqinjësore, jo në seksionin që ka të bëjë me sundimin e ligjit. “
Më tej, në të njëjtin seksion trajtohet edhe çështja e delimitimit të kufirit detar midis Greqisë dhe Shqipërisë, duke shpjeguar se të dyja vendet kanë rënë dakord që së bashku ta referojnë këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.