Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kjo marrëveshje që ka nënshkruar me Italinë ka të bëj me ndihmën që vendi fqinj na ka dhënë neve. Në një intervistë për gazetën italiane ‘La Repubblica’, Rama ka deklaruar se nuk ka asnjë interes direkt nga kjo marrëveshje.
“Unë përgjigjem me një pyetje retorike. Kush ishte interesi i Italisë që të na pranonte ne në momentin kur ne ia mbathnim nga ferri kur ra regjimi komunist. Ku ishte interesi i Italisë që ka qenë një ndihmë e madhe këtu në Shqipëri. Ose kur çoi skuadrën e saj për të shpëtuar jetë kur ndodhi tërmeti i para disa viteve këtu. Për ne, Italia është speciale, nuk ka një interes direkt, nga pikëpamja materiale, nuk përfitojmë asgjë, ne i japim disponibilitetin territorial dhe Italia merret me gjithë procedurat operacionale”, u shpreh ai.
Rama po ashtu tha se kërkesa për të pritur emigrantët i është bërë edhe nga vende të tjera të Bashkimit Evropian, por Shqipëria i ka refuzuar ato gjithnjë.
“Gjatë këtyre viteve ne kemi patur kërkesa të tilla edhe nga vende të tjera europiane, por kemi thënë gjithmonë jo,” tha Rama.