MENU
klinika

Shpreh mbështetjen për SPAK

Basha sulmon Berishën: Kush ka vjedhur pasuritë e shqiptarëve të dalë para drejtësisë

09.11.2023 - 12:27

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se PD mbështet operacionet e SPAK, duke sulmuar kështu ish kryeministrin Sali Berisha, i cili është nën hetim për korrupsion.

Deklaratën e tij, Basha e bëri në një bashkëbisedim me gratë në Belsh, teksa e ka konsideruar luftën kundër korrupsionit prioritet të PD.

Sipas Bashës, korrupsioni është ndër shkaktarët kryesorë të situatës ekonomike dhe largimit masiv të të rinjve.

“Kush ka abuzuar me fondet dhe me pasuritë e shqiptarëve, me besimin e shqiptarëve, të shkojë para drejtësisë. Dhe për këtë, Partia Demokratike i jep mbështetje të pakushtëzuar SPAK-ut, pa asnjë kusht, mbështetje të plotë drejtësisë dhe të vendosë para ligjit këdo që ka abuzuar me besimin, me paratë dhe me pasuritë e shqiptarëve”, u shpreh ai.

Basha theksoi se krahas inkurajimit dhe mbështetjes së SPAK, PD ka çuar në parlament dhe projktligjin për vetingun e politikanëve, përmes të cilit synon të largojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin nga politika.

“Siç është bërë vettingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, siç bëhet vettingu i punonjësve të policisë dhe i punonjësve të gardës, të bëhet dhe vettingu i politikanëve. Kush e justifikon pasurinë e vet dhe të familjes së vet, të vazhdojë. Kush nuk e justifikon, nuk mund të vazhdojë më të jetë përfaqësues i interesave të qytetarëve”, tha Basha.

Prononcimi i plotë i Bashës:

Kush ka abuzuar me fondet dhe me pasuritë e shqiptarëve, me besimin e shqiptarëve, të shkojë para drejtësisë. Dhe për këtë, Partia Demokratike i jep mbështetje të pakushtëzuar SPAK-ut, pa asnjë kusht, mbështetje të plotë drejtësisë dhe transparencë, si dhe të vendos para ligjit këdo që ka abuzuar me besimin, me paratë dhe me pasuritë e shqiptarëve.

Nga ana tjetër, lufta kundër korrupsionit zhvillohet dhe nga politika. Si zhvillohet nga politika? Duke larguar politikanët e korruptuar. Kemi çuar një ligj për vettingun e politikanëve në Kuvend, i cili parashikon që politikanëve t’iu kontrollohet pasuria dhe integriteti në raport me lidhjet me krimin e organizuar.

Dhe kush nuk e kalon këtë test, nuk mund të vazhdojë më të pretendojë që i shërben njerëzve. Sepse faktikisht ai politikan është problem për njerëzit. Ai dëmton interesin e njerëzve. Siç është bërë vettingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, siç bëhet vettingu i punonjësve të policisë dhe i punonjësve të gardës, të bëhet dhe vettingu i politikanëve. Kush e justifikon pasurinë e vet dhe të familjes së vet, të vazhdojë. Kush nuk e justifikon, nuk mund të vazhdojë më të jetë përfaqësues i interesave të qytetarëve. Kaq e thjesht është. Ajo që vlen për gjyqtarët dhe prokurorët, ajo që vlen për punonjësit e policisë dhe punonjësit e gardës, të jetë edhe për politikanët. Vetëm duke luftuar korrupsionin, vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë, që do të thotë që t’i vëmë qytetarët të barabartë para ligjit, vendi mund të fillojë të ndryshojë me të vërtetë.

Dhe nuk mund të jetë më peng dhe nuk do të jetë më peng i premtimeve boshe të politikanëve të korruptuar që tjetër gjë thonë për të marrë votën, pastaj sa të vijnë në pushtet nuk e kanë mendjen tek njerëzit, por e kanë mendjen tek interesat e veta, e kanë mendjen tek xhepat e veta. Gjëja e parë që do të bëjmë është një politikë në shërbim të njerëzve, një politikë me fytyrë njerëzore, institucione që i shërbejnë njerëzve, jo institucione që janë privatizuar nga politika dhe kjo pastaj fillon dhe jep rezultat në çdo aspekt. Fillon dhe jep rezultat tek ekonomia, tek shëndetësia, tek arsimi, tek politikat për rininë, tek fermerët të cilët janë më të braktisurit në Europë. Se sot shumicën e kohës e kemi kaluar me fermerët. Fermeri shqiptar pa subvencion, pa mbështetje, pa asgjë, është në kushte mbijetese.

Dhe prandaj është zbrazur Dumreja, është zbrazur Belshi, është zbrazur Shqipëria, sepse 1/3 e popullsisë jeton me tokën. Jo jeton, por mbijeton. Është detyrë e shtetit t’i gjendet afër me mbështetje financiare, me subvencione, me investime për infrastrukturën dhe të garantojë aksesin e prodhimit në treg. Që të shitet prodhimi në fund fare, jo të kalbet, siç është kalbur prej shumë vitesh produktet e Dumresë pas premtimeve boshe të politikanëve. E gjithë kjo punë kryhet në qoftë se ka vullnet, në qoftë se ka vizion, në qoftë se ka vendosmëri që atë vizion me e zbatu.