MENU
klinika

U arrestua në Stamboll

‘Baroni’ i kokainës dhe ‘mbreti’ i arratisjeve, Dritan Rexhepi shqiptari kryefjalë e mediave botërore

10.11.2023 - 14:13

Dritan Rexhepi, një ndër emrat më të përfolur të drejtësisë, ndaj të cilit ishin lëshuar tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpol është arrestuar sot në Stamboll.

Për shqiptarin ka tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpol, pasi ai ka tre arratisje të regjistruara: në vitin 2006, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit.

Por kush është Dritan Rexhepi?

‘Baroni’ i kokainës dhe ‘mbreti' i arratisjeve,
Skeda nga policia shqiptare

Deri në vitin 2014, Dritani ishte në top listën e 10 më të kërkuarve nga Interpol Tirana.

Një personazh i njohur jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe nga ajo italiane, belge, holandeze e spanjolle, ku Dritan Rexhepi ka shënuar disa rekorde sa i përket ngjarjeve kriminale.

“Mbreti i Kokainës”, siç njihet bosi shqiptar i drogës Dritan Rexhepi, kohët e fundit vepronte nga Ekuadori.

Një raport i fundit i publikuar nga media prestigjoze ‘The Economist’, thuhej se Rexhepi “është modeli i suksesshëm i emisarit kriminal ballkanik të kokainës në Amerikën Latine”, pasi ai është udhëheqës i një strukture të sofistikuar për trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në Evropë, madje ka arritur të korruptojë edhe autoritetet që nga viti 2014 kur u arrestua.

Në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Në këtë kohë ai u konsiderua nga Policia shqiptare si vrasësi i parë me pagesë.

Si nisi karriera “kriminale” e Dritan Rexhepit?

Në vitin 1999, kur ishte ende adoleshent (19 vjeç), ai qëlloi me breshëri Kallashnikovi policët në një lokal. Dyshohet se ai ishte paguar për atentatin dhe plumbat e tij vranë edhe dikë tjetër. Policia e arrestoi Rexhepin vetëm në janar 2006 në Tiranë, në një prej hoteleve më luksoze të kryeqytetit me një armë tip pistoletë pa leje. Rexhepi u transferua në ambientet e Drejtorisë së Policisë Durrës, që kishte në juridiksion zonën e Krujës. Po atë mbrëmje, Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje pasi hapi me gisht një bravë me defekt dhe i tha një roje që policia kishte mbaruar punë me të. Gjykata më vonë e dënoi në mungesë për vrasje. Ky ishte i pari nga tri arratisjet nga burgu pasi policia evropiane e ndoqi në të gjithë kontinentin për trafik droge dhe akuza të tjera.

Dritan Rexhepi “mbret” i arratisjeve nga burgu

Mediat spanjolle e hapën me një kryeartikull në korrikun e vitit 2011, ku e cilësonin Dritan Rexhepin “mbret” të arratisjeve.

Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga ekipi i Barcelonës.

Policia vendase u trondit nga mënyra se si kryenin grabitjet e bankave shqiptarët, ndërsa i etiketoi si “grabitësit që nuk linin gjurmë”.

Pas arrestimit, Rexhepi u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për trafik të lëndëve narkotike. Por nuk qëndroi më shumë se dy muaj në qeli, pasi në tetor të vitit 2011, ai u arratis nga burgu, bashkë me një tjetër të dënuar. Por kjo nuk ishte arratisja e parë e tij, ndaj edhe cilësohej si mjeshtër i arratisjeve.
Në vitin 2008, ai kishte kryer një tjetër arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Rexhepi kishte marrë makinën e një të moshuare dhe ishte zhdukur, duke bërë që i gjithë personeli i burgut të shkarkohej. Por të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Shqipëri.

Pasi u arrestua në hollin e një hoteli në Tiranë me dy pistoleta në brez, në vitin 2006, Rexhepi u arratis nga komisariati i Durrësit, pas një ndihmese nga radhët e Policisë, që i lanë derën hapur.

Në qershor të vitit 2014, me identitet tjetër dhe pamje të ndryshuar Dritan Rexhepi mbeti për më shumë se një muaj i paidentifikuar teksa qendronte në qeli. Superoperacionin i Policisë në Quito të Ekuadorit, ku edhe u kapën 278 kilogramëve kokainë, prangosi edhe vlonjatin.
Ishin gjurmët e gishtave ato që zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht Dritan Rexhepi, nga Vlora, në atë kohë 34 vjeç.

Përfshirja në rrëmbimin dhe vrasjen e bujshme të Jan Prengës në Kamëz

Emri i tij doli në skenë edhe në vitin 2020, në kohën kur Jan Prenga u mor peng më 17 janar të atij viti në zonën e Kamzës. Ai u dërgua në një resort në Shijak, ku u torturua për vdekje dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Sipas SPAK, pengmarrja e Jan Prengës u porosit nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj për shkak se vëllai i tij Astrit Prenga kishte vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, në Angli, që ishte trafikuar nga Ekuadori në Angli.

Prokuroria e Posaçme bëri me dije se Dritan Rexhepi, në fund të muajit dhjetor 2019 urdhëroi rrëmbimin e viktimës Jan Prenga.

Dritan Rexhepi ishte vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri, në vitin 1998. Që prej atij momenti, Rexhepi nuk u ndal dhe vazhdoi rrugën duke u bërë kryefjalë e kronikës së zezë, jo vetëm në vendin tonë por edhe në mediat e huaja.

Kujtojmë se Rexhepi është marrë i pandehur nga Gjykata e Posaçme së bashku me 6 persona të tjerë si organizator dhe porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës në Kamëz në 2021-shin. Sipas SPAK, vëllai i tij Astrit Prenga kishte grabitur një sasi kokaine në një port në Angli.

Për kthimin e lëndës narkotike, në bashkëpunim edhe me Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja dhe Artan Doçajn ata kanë kërcënuar vëllain e Astrit Prengës, Jan Prengën që sipas hetimeve të SPAK, ky i fundit ka humbur jetën nga dhuna e ushtruar.

Krijoi “markën” e tij në biznesin e trafikut të kokainës

Rexhepi kishte nën urdhra të drejtpërdrejtë një numër shqiptarësh në Ekuador, Holandë, Itali dhe Shqipëri dhe partnerë biznesi në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, të cilët kontrollonin kanalet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë kontinentin. Ndërsa grupi i Rexhepit u zgjerua, ai kërkoi të dallohej nga grupet që operonin në tregun e trafikut ndërkombëtar.
“Le të dalim në treg me emrin tonë”, i shkruante koordinatori i grupit në Itali Rexhepit në mars 2016. “Marka jonë ende nuk njihet”. Rexhepi ia ktheu, duke propozuar emrin Bello. Tullat me kokainë të grupit u vulosën shpejt me këtë markë. Rexhepi e drejtoi kompaninë Bello me karizëm dhe dhunë. Ai urdhëroi sulme dhe të paktën dy vrasje, një në Ekuador dhe një në Shqipëri, sipas policisë italiane. Dritan Rexhepi akuzohet se është kreu i një grupi të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine në Evropë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dalin lidhjet e Dritan Rexhepit dhe organizatave shqiptare me mafiet e huaja

DailyMail: Evropa, superfuqia e kokainës në botë