Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komentuar marrëveshjen për emigrantët me shtetin fqinj, Italinë, një marrëveshje e cila sipas tij, ndonëse nuk e zgjidh këtë problem në Evropë, është një dëshmi solidariteti e Shqipërisë.
“Ne i jemi shumë mirënjohës Italisë për gjithë mbështetjen e kujdesjen, të mos harrojmë kurrë marsin 1991, korrikun e vitit 1991 kur qytetarët shqiptarë morën anijet e u nisën për një jetë më të mirë në Itali. Mikpritjen italiane, trajtimin, integrimin dhe sot shqiptarët janë një model i mirë i integrimit në Itali. Bëhet fjalë thjesht e vetëm që në rast se sot Italia përballet me një sfidë shumë të madhe të flukseve migratore, që vijnë nga veriu i Afrikës dhe kur sot në Itali janë me qindra qendra pritjeje, ndoshta mbi 3000. Një prej këtyre 3000, të vendoset në Shqipëri. Sot që flasim, në qendrat e pritjes janë mbi 80.000 dhe 3000 prej tyre të trajtohet procesi i aplikimit për azil”, u shpreh ministri.
Ai sqaroi më tek se asnjë prej migrantëve nuk do të qëndrojë në Shqipëri.
“Është e shkruar në marrëveshje, nuk do të rrijë asnjëri në Shqipëri. Ata do të vijnë me anije, do të akomodohen në atë Qendër Pritjeje, e cila është me të gjitha kushtet, që do të ndërtohet nga qeveria italiane. Përgjegjësia e ndërtimit, e kujdesjes, është e qeverisë italiane. Të vetmen përgjegjësi që e ndajnë me ne, por me pagesë, është që Policia e Shtetit e Shqipërisë, do të ruajë që asnjë të mos dalë në mënyrë të parregullt nga ajo qendër”, nënvizoi Balla.
Duke u ndalur në deklaratat skeptike të aktorëve të ndryshëm politikë, Balla, sqaroi se në fakt me integrimin në Bashkimin Evropian, duhet të mos harrojmë që Shqipëria nuk do të ketë vetëm përfitime, por edhe përgjegjësi.
“Natyrshëm që është një proces, se kam dëgjuar disa nga këta ‘profesorët’ e mëdhenj që dalin e thonë pastaj se kjo bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Unë mendoj që duhet trajtuar me kujdes. Është një marrëveshje ndërmjet dy qeverive. Natyrshëm që do të kalojë edhe në procedurë të ratifikimit në Kuvend. Kam dëgjuar ca ‘profesorë’ të mëdhenj që thonë, po ku është “plotfuqishmëria”?!
Prandaj ju lutem, Shqipëria ka qenë gjithmonë pranë Italisë, sikurse ka qenë dhjetëra herë Italia pranë Shqipërisë, kur ne kemi pasur ditë të vështira, qoftë në 1991, me misionet e mbështetjes dhe ndihmës italiane, qoftë në vitin 1997. Natyrshëm që sot Italia përballet me një sfidë dhe Shqipëria po jep një shembull solidariteti. Ne nuk e zgjidhim dot hallin! Ju thashë, shifrat janë të tilla, pra nga 3000 qendra, 1 do të jetë në Shqipëri. Nuk është se po zgjidhim një hall, por po japim shembullin e solidaritetit, i cili nuk ka munguar. Mos harroni, para 3 vitesh, në prill 2020, në kohën e Covid-it, Shqipëria, edhe pse kishte vështirësitë e veta, një numër prej 50 infermierësh dhe mjekësh u dërguan në Itali për të mbështetur popullin italian dhe qeverinë italiane në kuadër të nevojave që ata kishin për mjekë e infermierë. Po ashtu, në këtë sfidë që ka Italia, ne po japim një përqindje të vogël mbështetje, për të treguar solidaritetin tonë në përballjen me këtë dhe mos harroni që Europa sot ka një sfidë shumë të madhe në përballjen me migracionin.
Natyrshëm si një vend që duam të anëtarësohemi në BE, dhe anëtarësimi nuk ka vetëm përfitime, pra duam të marrim fonde nga BE, por ka edhe përgjegjësi, solidaritet. Përgjegjësinë e solidaritetin kjo qeveri e ka pasur edhe vijon ta ketë si pjesë të qasjes së vet”, theksoi ministri i Brendshëm./