MENU
klinika

Detyrimet për pagat/ Nga "BIRN"

Përmbarimi bllokon llogarinë e thesarit të Prokurorisë së Përgjithshme

10.11.2023 - 18:34

Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK kërkuan një zgjidhje nga Kuvendi për ngërçin e rritjes së pagave të magjistratëve, që sipas tyre po bllokojnë funksionimin normal të këtyre institucioneve.
Prokuroria e Përgjithshme u ankua të premten në Kuvend se i është bllokuar llogaria e thesarit nga përmbaruesit, si shkak i moshlyerjes së detyrimeve për shtesat e pagave të punonjësve sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Luan Abazi, sekretari i Përgjithshëm i Prokurorisë së Përgjithshme, i tha Komisionit Parlamentar të Ligjeve se “kemi qenë shumë në vështirësi për të kryer veprime financiare me thesarin, sepse nga ana e përmbaruesve është bllokuar thesari”.

Gjatë prezantimit të buxhetit të ri, Abazi kërkoi nga qeveria që të marrë masa për këtë çështje, pasi sipas tij, “vazhdojnë proceset gjyqësore dhe gjykata në mënyrë sistematike po jep vendime në favor të tyre”.

“Nga ana jonë është njohur detyrimi për të gjithë punonjësit, kjo është bërë për të kursyer shpenzimet gjyqësore dhe ato të përmbarimit,” shtoi ai, duke e vlerësuar situatën si shumë problematike.

“T’i kërkohet Ministrisë së Financave që të vendosë që ky detyrim që kemi të likuidohet menjëherë, sepse prokuroria është në vështirësi të përditshme për të kryer veprime në funksionin kushtetues që ka,” këmbënguli ai.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i shpallur një vit më parë u njeh një shtesë page prej 14 mijë lekësh të gjithë magjistratëve që nga viti 2019, por qeveria ka bërë një vesh të shurdhër për alokimin e fondeve për zbatimin e tij.

Të njëjtin shqetësim ngriti dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, gjatë dëgjesës në këtë komision të premten.

Armand Shini, drejtor i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në SPAK tha se “struktura po përballet me vendime gjyqësore që janë në ekzekutim dhe shpenzime gjyqësore, përmbarimore”, duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje.

Sipas tij, efekti financiar i këtyre detyrimeve arrin në 130 milionë lekë për këtë institucion.

Gjatë kërkesave për buxhetin e ri 2024, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, këmbënguli që qeveria të parashikonte zërin e investimeve në shumën 550 milionë për rikonstruksionin e godinës së re brenda vitit që vjen, jo të ndarë në 2 vite, siç e kishte parashikuar Ministria e Financave.

“Jemi para faktit që godinën e kemi përballë, por punojmë tej kapaciteteve dhe s’mund të plotësojmë stafin pasi s’kemi ambjente ku t’i vendosim,” u tha Dumani deputetëve.

Në lidhje me detyrimet për shtesat e pagave, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka tha se shqetësimi ishte i drejtë, por ajo ripërsëriti qëndrimin se Kuvendi dhe qeveria po kërkojnë një zgjidhje institucionale-ligjore për këtë çështje

Punonjësit e organeve të drejtësisë po fitojnë në masë gjyqet për zbatimin e këtij vendimi duke futur në ngërç financiar funksionimin e tyre dhe duke i shtuar detyrimeve financiare dhe shpenzimet gjyqësore e përmbarimore.

Gjatë dëgjesave për buxhetin, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioni i Pavarur i Apelimit theksuan se kjo ishte një çështje sensitive për mbarvajtjen e punës dhe për pavarësinë e këtyre institucioneve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pikëpyetje mbi vendimin e qeverisë për...

“Tendera sekretë me vlerë miliona euro për Covid-19”

BIRN: punonjësit vazhdojnë të transportohen në autobusë të tejmbushur

“Fasoneritë, epiqendra e paralajmëruar e epidemisë së COVID-19”


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin