Presidenti francez Emmanuel Macron ka një listë marramendëse me detyra këtë javë: të mundohet të gjejë zgjidhje për krizën humanitare në Gaza, të ndalojë shkrirjen e akullit dhe të merret me sfidat e inteligjencës artificiale. Dhe kjo është vetëm një paraqitje e shkurtër e agjendës së maratonës diplomatike të kësaj jave në Paris që mbledh së bashku liderë, diplomatë dhe punonjës të OJQ-ve nga e gjithë bota. Tema e këtij viti të forumit të Paqes është “Pakti i Parisit për njerëzit dhe planetin”. Në këtë listë të gjatë, duket e çuditshme që lideri francez të ketë kohë edhe për Kosovën e Serbinë, por ja ku jemi. Dje, që ishte edhe dita e parë e forumit dyditor, ishin mediat e huaja që ngritën hipoteza se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mund të kishin shansin për një përballje të drejtpërdrejtë. Sipas Euroactive ,një takim i tillë i mundshëm do të ishte mundësi për diskutimin e propozimit perëndimor për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Synimet e BE
Analistët besojnë se politikanët e BE-së kanë nevojë për një fitore të shpejtë dhe se ata do të përpiqen të përdorin Forumin e Paqes në Paris për të dërguar mesazhe në rajon për të pranuar propozimet e Bashkimit Evropian, që janë në tryezë. “Evropianët kanë nevojë për një lloj suksesi politik deri në fund të vitit. Nuk besoj se kjo do të ndodhë, por drama që rrethon Kosovën do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë”, tha Miroslav Stojanoviç, analist i politikës së jashtme për gazetën serbe “Blic”. Sipas tij, një nga temat sigurisht që duhet të jetë propozimi i Brukselit për formimin e Unionit të Komunave Serbe (USO). Sllobodan Zeçeviç nga Instituti për Studime Evropiane thotë për “Kosovo Online” se “kërcënimet do të realizohen” në ato takime.
Nxitimi i Perëndimit
Stojanoviç thotë se Perëndimi është në nxitim dhe pikërisht nga kjo po ndodh edhe përshpejtimi i përpjekjeve diplomatike për t’i përfunduar gjërat sa më shpejt, sepse po hyjmë në një vit kritik në të cilin do të pasojnë zgjedhjet për institucionet evropiane dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA. Stojanoviç thekson se situata si për BE-në ashtu edhe për SHBA-në është gjithnjë e më dramatike sepse po hyjnë në një periudhë delikate. “Prandaj tani është ngritur në një nivel jashtëzakonisht të lartë, kështu që në takimet e fundit në Bruksel kemi pasur edhe krerët e tre vendeve më me ndikim të BE-së, gjë që nuk ka ndodhur kurrë në situata të tilla”, thotë Stojanoviç. Ai shton se sigurisht që do të flitet për të ashtuquajturën marrëveshje të Ohrit, e cila, kujton ai, është formuluar në imitim të marrëveshjes mes dy Gjermanive të vitit 1973. “E gjithë beteja po bëhet për të siguruar kalimin në Kombet e Bashkuara për Kosovën. Është një mision thuajse i pamundur, edhe sikur ta pranonte Serbia”, vlerëson Stojanoviç.
“Përzierja e kartave”
Stojanoviç beson se kartat me siguri do të përzihen në Parlamentin Evropian, sepse e djathta po forcohet në një numër të madh vendesh dhe se terreni politik padyshim do të ndryshojë. Pastaj hyjmë në zgjedhjet presidenciale të pasigurta në SHBA. “Duhet të shtojmë edhe situatën ndërkombëtare, e cila është jashtëzakonisht dramatike.Lufta në Lindjen e Mesme është më dramatike se konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, sepse ai konflikt mund të përhapet si llava e luftës dhe të dalë jashtë kontrollit” përfundon Stojanoviç. Që nga fundi i tetorit dihet se BE-ja dhe SHBA-të po insistojnë që Serbia ta njohë de fakto Kosovën, ndërsa Kosova të krijojë Asociacionin e komuna me shumicë serbe. Megjithatë, sinjalet që mbërrijnë nga Beograd tregojnë se as këtë radhë, nuk ka për të qenë e lehtë për ndërkombëtarët. Pasi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi një ditë më parë se bashkësia ndërkombëtare insiston në formimin urgjent të Komunitetit të Komunave me shumicë serbe, drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç tha se Asociacioni “nuk do të jetë kurrë një organizatë joqeveritare në kuadër të së cilës përfaqësuesit e disa përfaqësive perëndimore në Prishtinë do të donin ta vendosin atë”. Ndërsa Vuçiç vetë e ka deklaruar hapur se nuk do ta nënshkruajë kurrë pavarësinë e Kosovës.