Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ekspertim të dytë të rezultateve të autopsisë për shkaqet e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili humbi jetën në fillim të muajit tetor pas një ndërhyrje kirurgjikale në 14 dhëmbë në klinikën e mjekut Roland Xhaxho.
Mësohet se organi i akuzës ka administruar pak kohë më parë autopsinë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, rezultatet e të cilave nuk janë bërë publike edhe me insistimin e medias.
Mbetet e paqartë pse akuza ka kërkuar riekspertim, por burimet thonë se rezultatet e reja pritet të dalin në fillim të javës së ardhshme. Ndërkohë, prokuroria vijon hetimet për rastin.
3-vjeçarit Brian Spahiu ndërroi jetë 3 ditë pasi kreu një procedurë stomatologjike me anestezi totale në klinikën private të mjekut Roland Xhaxho.
I mituri iu nënshtrua ndërhyrjes dentare më 28 shtator në klinikën tek Rruga e Kavajës. Pasi është dërguar në shtëpi ka shfaqur komplikacione dhe familjarët e kanë dërguar në QSUT.
Por i mituri nuk ka arritur të mbijetojë duke humbur jetën më 1 tetor në pediatri.
Sipas skedës 3-vjeçari ka ndërruar jetë nga një shkak i panjohur.
Babai i Brianit ka hedhur akuza ndaj mjekut Ronald Xhaxho duke thënë se djali do të bënte vetëm pastrim gurëzash, por klinika i ka bërë 14 dhëmbë.
Këto akuza mjeku Roland Xhaxho i ka hedhur poshtë, teksa është shprehur se procedura e ndërhyrjes ka qenë sipas protokolleve ndërkombëtare dhe se prindërit kanë firmosur për kryerjen e anestezisë.
Sa i përket fëmijës, mjeku shton se nga klinika ka dalë i zgjuar në krahët e të atit, ndersa shprehet se 3-vjecari ka pasur infeksione.
Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj mjekut Roland Xhaxho dhe stafit të klinikës për ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’, për vdekjen e djalit 3-vjeçar i cili humbi jetën pas një ndërhyrje dentare.