Në episodin e 9 të sezonit të 2-të të podkastit “Flasim” e ftuar në një bashkëbisedim me kryeministrin Edi Rama, ishte këngëtarja Elsa Lila, e cila rrëfeu uljet e ngritjet në karrierën e saj.
Në çelje të bisedës, kryeministri Rama e pyeti këngëtaren mbi recitalin e zhvilluar në Tiranë pak ditë më parë.
“Ka kaluar një kohë e gjatë larg kamerave, larg publikut, por për mua koha është totalisht relative. Në fakt nuk u zhduka. Jetova në Romë. Studiova muzikë baroke. Kam bërë shumë eksperienca të tjera që më kanë pasuruar dhe që më lejuan që të rikthehem akoma më e fortë, më e përgatitur artistikisht, me më shumë ide inovative edhe sepse kam evoluar në idetë e mia artistike, ndonëse në koncertin tim, i cili ishte një revivel i këtyre 27 viteve karrierë që kam bërë që nga 1996, si të thuash performova këngët që kam realizuar në këto 27 vite, por ndërkohë kam evoluar konceptualisht, artistikisht pasi po merrem me muzikë baroke, pra muzikë që u ndodh mes 1600-ës dhe mesit të 1700-ës, duke eksperimentuar me zë natyral. Natyrisht muzika nuk tregohet me fjalë, duhet dëgjuar dhe shpejt shpresoj që të mund të vij në Shqipëri, në opera këtë radhë, sepse është një muzikë që është më e përshtatshme për operan. Më në fund t’ju tregoj konkretisht për këtë të famshme muzike baroke për të cilën po flas prej shumë kohësh në intervista”, tha Lila.
“Ideja është shumë revolucionare në fakt. Ka 300 vjet që kjo muzikë këndohet, pra flas për muzikën e kënduar baroke, jo atë të luajturën. Këndohet me zë të impostuar, pra me zë të impostuar në mënyrë klasike dhe unë mendoj se ky lloj impostimi, e largon pak dëgjuesin e thjeshtë nga materialet baroke”, tha këngëtarja.
“Materialet baroke janë pak të vështira për t’u dëgjuar, por kur përcillen me një zë të impostuar, – i cili është i mrekullueshëm natyrisht, babai im është një tenor dhe unë i adhuroj zërat e impostuar. Unë jam rritur në operan e Tiranës, jam rritur mes zërave të impostuar, – publiku që e ka veshin të pakultivuar me këtë lloj muzike, trembet paksa, krijon një lloj distancimi mes interpretuesit dhe dëgjuesit”, shtoi ajo.
“Unë kam realizuar ndërkohë…. kam regjistruar të gjithë, Stabat Mater, Giovanni Battista Kështu që unë kam menduar të interpretoj me zë natyral vepra baroke. Është një proces i avashtë. Në kuptimin i avashtë, jo nga ana ime, por për t’ia servirur publikut. Është e vështirë që ata ta përtypin dhe unë po ua sjell shumë gradualisht. Për shembull, dje në koncert, në koncertin që bëra në Tiranë, këndova një pjesë të Moxartit. Moxarti nuk është barok, është pak më vonë se ka lindur në ’56, në 1756, por me pikatore si të thuash”, vijoi Lila.
Këngëtarja zbuloi dhe një risi që solli në recital, për të cilën Rama tha se “çmenduritë e saj janë fantastike”. “Kam bashkuar Lasgush Poradecin , “Dremit Liqeri’’ dhe ia kam bashkangjitur Moxartit. Nga një piano-koncert e kam transformuar në një këngë dhe është një eksperiment që në Itali, barokistët që e kanë dëgjuar, e kanë quajtur një çmenduri fantastike. Kam shumë dëshirë që ta dëgjosh, sepse kur ta dëgjosh, do ta kuptosh eksperimentin. Domethënë, nuk më mjaftonte më bota artistike në të cilën jetoja”, tha Lila.
Më tej Kryeministri Edi Rama dhe këngëtarja Elsa Lila kujtuan kohën kur Partia Socialiste zhvilloi një grevë urie në shenjë proteste ndaj qeverisë së asaj kohe.
“Po, çmenduri fantastike. Për shembull, unë mbaj mend një çmenduri që më pate treguar atëherë, që merreshe me zhytje dhe që ishe shumë e dëshiruar të arrije në një pikë nën ujë ku të të ndalej fryma dhe pastaj të jetoje pa frymë edhe sa kohë mund të jetoje pa frymë dhe pastaj me dilemën që duhet vërtetë të ridalë për ta ri kërkuar frymën apo të pres që të më marrë fryma tjetër që s’është frymë. U arrit ajo pika ku merrej fryma?”, tha Rama
“Po, kam jetuar 4 vjet në Madagaskar, në Afrikë dhe duke qenë se ish i dashuri im, babai i Evitës ishte një zhytës profesionist u bëra dhe unë një zhytëse gati profesioniste le të them. Kështu që, në ato vite kam jetuar më shumë nën ujë sesa mbi tokë dhe heshtja e të jetuarit nën ujë, duke qenë se zhytesha tre herë në ditë, zhytesha dhe natën me të sepse thellësia është magjepsëse dhe oqeani të merr gjithmonë e më poshtë. Ashtu si mendimet. Oqeani është si mendimet. Sa më shumë thellohesh, aq më shumë poshtë shkon dhe pastaj do të të duhet një dorë që të të tërheqë që të dalësh jashtë atyre mendimeve të komplikuara që ne kemi”, vijoi këngëtarja Lila.
“Unë isha në Madagaskar kur isha në grevë të urisë. Ishte një pit stop në Shqipëri dhe unë u gjenda këtu, ato ditë për arsye familjare kur ndodhte ajo çmenduri fantastike që ju ngritët të gjithë së bashku. Pas lindjes së Evitës, pasi ajo mbushi 1 vjeç e gjysmë, unë vendosa që të kthehem në Romë pasi gjërat midis meje dhe ish bashkëshortit nuk shkuan më mirë. Isha lodhur të rrija në një ishull. Ishulli më rrinte shumë i ngushtë, doja të kthehesha në civilizim, në Romë. Dhe u ktheva. Dhe kur u ktheva u zhyta te barokja nga oqeani indian”, tha më tej këngëtarja.
Gjatë bashkëbisedimit këngëtarja zbuloi dhe pasionin për të krijuar në formë artizanale gjëra artisitke.
“Kam mësuar të punoj drurin. Jam bërë zdrukthëtare shumë e mirë. Erdhi një moment që kisha dëshirë të punoja me duar. Të përdorja duart e mia. Ti e di sepse me duar krijon dhe e di sesa e nevojshme të krijosh me duart e tua nga hiçi, diçka. Apo nga një material ta transformosh. Kështu që më lindi pasioni i punimit të drurit dhe fillova të ndërtoja objekte prej druri, vazhdoj ta bëj. Është një art”, thja ajo.
“E bej në shtëpi sepse kam një hapësirë shumë të madhe dhe një tarracë shumë të madhe që më lejon që unë të punoj. Për një periudhë kam pasur në Romë dhe një një zdrukthëtar me të cilin bashkëpunoja që të mësoja sesi bëhej puna. Mbi të gjitha në trajtimin e drurit, se çfarë duhet ti vesh sipër, shtresa e parë, shtresa e dytë etj, që ajo pastaj të jetojë. Kështu që, jam marrë me zdrukthëtari dhe me botanikë, me lule, me bimë. Më lindi pasioni i bimëve. Fillova të rris bimë, në tarracën time kam rreth 150 bimë që i kam mbjellë vetë nga fillimi, i vë muzikë, i vë Vivaldin kryesisht, atyre iu pëlqen shumë. E sheh menjëherë sesi e ndryshojnë fytyrën kur ti i vë muzikë. Është e gjitha një lloj forme për të mbajtur në kontakt me natyrën, me energjinë e natyrës në një qytet aq të madh sa Roma dhe kaotik dhe i zhurmshëm, që ta heq shpirtin, ta heq kontaktin me të vërtetën, me realitetin. Kështu që, midis përpunimit të drurit dhe bimëve, rritjes së bimëve është një lloj mënyre për t’u mbajtur fort e lidhur me realitetin”, vijoi Lila.
Këngëtarja më tej tha se ka qenë në Tiranë çdo vit. “Unë vij, kam ardhur gjithë kohës në Tiranë. Thjesht nuk jam dukur. Kam ardhur me Evitën time çdo vit. Kryesisht Vitin e Ri e kaloj këtu, Pashkët i kaloj këtu. Në verë vij shpesh se Evita preferon ta kalojë verën në jugun e Shqipërisë. Kështu që unë e kam parë Tiranën të zhvillohet gradualisht, të pastrohet gradualisht, të evolojë gradualisht dhe kemi arritur në një moment fantastik, them ku unë vij me bandën time italiane dhe gjysma e tyre thonë që duan të transferohemi këtu, kaq bukur është. Sa pastër është në krahasim me Romën, sa i sigurt është si qytet në krahasim me Romën, flas për kriminalitetin rrugëve natën, në qendër. Atje, unë nuk dal vetëm në mbrëmje e pashoqëruar, sepse është e rrezikshme të dalësh, duke qenë se bashkëjetojnë shumë etni edhe kriminaliteti ka arritur nivele shumë të larta. Aq më pëlqen Tirana e kohëve të fundit, sa po mendoj edhe që kur Evita të mbaroj këtë cikël studimesh, pse jo të transferoheshim këtu, jetohet shumë mirë tani, nuk është më ajo Tirana e një kohe. Keni bërë një punë fantastike të gjithë bashkë, si një skuadër”, tha Lila.
Për Kryeministrin Rama, Tirana ka ardhur në atë pikë, që shijohet më shumë kur e viztion. “Ndërkohë që, kur e jeton ki parasysh ka problemet e veta si çdo vend tjetër dhe ka akoma shumë gjëra për të bërë. Mendoj që janë të bëshme, mendoj që është një kohë e Tiranës, edhe e Shqipërisë, kur jo vetëm gjërat janë të bëshme, por janë dhe njerëzit që mund t’i bëjnë dhe plus kësaj ajo që është më e rëndësishmja është që ka gjithmonë shumë jo të të gjithë, po ka shumë njerëz që besojnë se bëhet edhe bëjnë gjëra gjithmonë e më të mira, gjithmonë e më, si të thuash, pa të sharë, gjëra që s’kanë të sharë, mund të bësh vërejtje, por që në këtë pikë jemi, edhe sigurisht që pastaj kjo përkthehet vetvetiu në shumë turizën. Tirana për shembull këtë vit ka pasur një super bum turistik që nuk e ka patur përpara. Edhe kur filluan të vinin më shumë turistë në Shqipëri nuk është se fokusoheshin në Tiranë, por vinin kryesisht për të shkuar në vende të tjera. Këtë vit ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Unë për herë të parë ndoshta sepse ka qenë masive, nuk e kam vënë re vitet e tjera, për herë të parë kam vënë re që në korrik, por sidomos në gusht, kur Tirana zakonisht ka qenë vetëm e atyre që nuk ka patur mundësi, ose nuk kanë qenë në atë kohë të dëshiruar të shkojnë me pushime, ishte vetëm e atyre. Në verë Tirana është bërë ndërkombëtare”, tha Rama.
“Është absolutisht e vërtetë. Keni bërë një punë fantastike. Për mua është gjithmonë e më bukur kur kthehem këtu”, shtoi këngërja Lila.
Intervista e plotët:
Kryeministri Edi Rama: Ne jemi duke bërë disa punime druri, të cilat do t’i tregoj kur të dalin këtu edhe është bllokuar ajo hyrja nga zakonisht hyj e dal unë, dhe dal nga përballë. Është shumë e rrallë që unë të dal nga përballë dhe mos të shoh në ato 100 metra që jam përballë kryeministrisë një grup të huajsh, apo një çift të huajsh, është shumë e rrallë. Edhe sot që flasim, që jemi praktikisht në hyrje të nëntorit.
Elsa Lila. Po është bërë internacionale, absolutisht, ka shumë të huaj, e vura e re dhe unë këtë gjë. Edi, doja të kthehesha pak te çmenduritë e bukura të këtyre 10 vjetëve që kanë ndodhur. Në Romë kam marrë pjesë në dy aksione shumë të rëndësishme okupimi teatrosh. Kam qenë një nga okupuesit e teatro Valle. Teatro Valle është një nga teatrot më të vjetra të Romës, i cili ishte mbyllur dhe nuk funksiononte më, ndodhet pas Piazza Navona, pra në qendër. Një teatër i fundit i 1600-tës, i mrekullueshëm brenda ku dhe Moxarti kishte ardhur për të parë “La prima”, primën e parë “Così fan tutte”, etj, etj. Unë dhe një grup artistësh.
Kryeministri Edi Rama: Ishte mbyllur dhe nuk funksiononte më sepse?
Elsa Lila: Sepse Ministria e Kulturës, nuk jepte fonde për të bërë që teatri të jetonte. Dhe ai teatër kishte vdekur, atëherë një grup artistësh, muzikantë, aktorë, regjisorë, skenaristë, piktorë, skulptorë, balerinë, koreografë, etj, etj, ishim rreth 100 persona shkuam, si të thuash me metoda pak paqësore sepse nuk mund të ishin ndryshe, shqyem dyert e tetarit Valle, u futëm brenda dhe jetuam, për gati 5 vjet.
Kryeministri Edi Rama: 5 vjet?
Elsa Lila: Ehee
Kryeministri Edi Rama: 5 vjet?
Elsa Lila: Ka qenë 5 vjet okupacion.
Kryeministri Edi Rama: Jetuat në teatër 5 vjet, 100 veta?
Elsa Lila: Atje flinim natën, e bënim me turne, flinim nga 20 veta, flinim nga 30 veta, domethënë secili jepte disponibiletetin e vet, edhe unë kam fjetur në teatër shumë muaj, alternoheshim. Dy ditë në javë apo tre ditë, varej nga impenjimi i secilit prej nesh në mënyrë që ta mbanin gjallë realitetin e teatrit.
Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë çfarë bënit? Bënit shfaqje?
Elsa Lila: Po, po. Ka qenë fantastike teatri rifilloi të jetonte totalisht, pasi në mënyrë vullnetare vinin teknik dritash, teknik të zërit, skenograf, etj, etj dhe në mënyrë vullnetare ndërtoheshin spektakle.
Kryeministri Edi Rama: Vinin spektatorë?
Elsa Lila: Po, absolutisht dhe e bukura ishte se çmimi ishte “sa të doni”. Dhe në një kuti në hyrje vinin, kush nuk kishte para arrinte të shikonte spektaklin e radhës gratis, sepse kjo ishte filozofia jonë që arti është për të gjithë dhe nëqoftëse ju doni të kontribuoni për artin kontribuoni, nëse nuk keni fuqi ta bëni, ju japim mundësi ta shikoni gjithsesi spektaklin. Kështu që, kishte njerëz që paguanin 100 euro për të kontribuar dhe kishte njerëz që jepnin 1 euro apo asgjë edhe merrnin pjesë në spektakle të ndryshme që ne kemi themeluar.
Kryeministri Edi Rama: Pastaj kjo e riktheu ministrinë e kulturës në lojë?
Elsa Lila: Po, kjo e riktheu pas 5 vjetësh. U vendosën, nuk e di sa miliona euro në dispozicion dhe tashmë teatro Valle është rinovuar i gjithi dhe është rivënë në punë. Por ne u detyruam, në atë teatër unë kam bërë një koncert historik sepse secili prej nesh jepte kontributin artistik të vetin. Unë si këngëtare, gjithashtu sot nuk dukem si këngëtare me këtë zë, po ju siguroj që..
Kryeministri Edi Rama: Dukesh më shumë se këngëtare me thënë të drejtën? Kjo ndoshta vjen ngaqë veshi im nuk është shumë i kultivuar.
Elsa Lila: Kam bërë një koncert fantastik, që u bë emblematik dhe aty filloi tradita e këtij koncerti që është 100 violonçelat. U thirrën 100 violonçelistë në skenë me në krye Giovanni Sollima-n, i cili është një violonçelist italian, mjeshtër shumë i njohur në botë, luan violonçel ruggeri është mjeshtri im, maestro im, unë kam mësuar shumë prej Giovannit, edhe për muzikën baroke. Edhe si të thuash unë kam mbajtur edhe një koncert në teatro Valle me 100 violonçelat që ka mbetur historik. Fundi dhe mbyllja ka qenë spektakolare pasi 10 veta nga kolektivi nga këta dhe unë u arrestuam. Dolëm, na nxorën nga teatri si kriminelë, ishim me duar në xhepa. Ishte një rrugicë e vogël kur ti del nga ai teatër prapa piazza Navonës, edhe gjetëm 100 polica me skafandër.
Kryeministri Edi Rama: Ajo që ti kishe 5 vjet që prisje?
Elsa Lila: Po, po natyrisht. E dinim që nga një ditë te tjetra do vinin të na nxirrnin, mirëpo ndërkohë që shumë artistë të tjerë u arratisën kur morën vesh që kishte ardhur policia.
Kryeministri Edi Rama: Dhe ti për atë po punoje?
Elsa Lila: Po, sigurisht
Elsa Lila: Ai ishte momenti historik dhe atë po prisja.
Kryeministri Edi Rama: Një zhytje në detin e policisë…
Elsa Lila: E policisë së Romës dhe ne 10 veta heronjtë që dolëm para policëve dhe thamë ”Urdhëroni, na arrestoni. Po, ne jemi ata që shqyem dyert e teatrit dhe jetuam për këto vite”. Na hipën në furgon të policisë dhe akt-akuza ishte shkatërrim i objekteve publike dhe okupim i paligjshëm i objekteve publike. Ndërkohë që, ne nuk kishim shkatërruar asgjë aty brenda përveçse me fondet i kishim shtuar bukuri atij teatri, i kishim dhënë jetë, e kishim pastruar, kishim ndërruar….
Kryeministri Edi Rama: Sa të mbajtën në polici?
Elsa Lila: Ne na mbajtën disa orë, ato procedurat…
Kryeministri Edi Rama: Të futën në qeli?
Elsa Lila: Jo, atëherë jo. Qelinë e provova një herë tjetër. Është një eksperiencë më vete, të them të vërtetën.
Kryeministri Edi Rama: Si e provove qelinë, me ç’rast?
Elsa Lila: Qelinë e provova kur u arrestova vitin e kaluar.
Kryeministri Edi Rama: Përse?
Elsa Lila: Sipas tyre për shpërndarje të lëndëve narkotike; gënjeshtër e madhe, po e madhe, shumë e madhe.
Kryeministri Edi Rama: Po sa kohë ndenje në qeli në atë kohë?
Elsa Lila: Kam ndenjur 2 muaj, nga këta 2 javë në izolim. Izolim do të thotë izolim, do të thotë një dhomë pa dritare, pa asgjë.Ditët janë shumë të gjata, nuk mbarojnë kurrë.
Kryeministri Edi Rama: Sensin e orës e kishe?
Elsa Lila: Jo absolutisht. Orientohesha me vaktet që servireshin. Pra, vinte dreka e duhet të jetë pak a shumë ora 1. Nuk kishte as dritë aty brenda, kështu që nuk mund të orientohesha me dritën e diellit, por ama është një eksperiencë kaq e fortë psikologjikisht sa ti nuk je më njëlloj pastaj mbrapa. Ai është një moment kufiri, ku ti duke ditur që je i pafajshëm dhe do dalësh që aty, ose e shfrytëzon atë moment për të medituar fort dhe për të evoluar mendërisht dhe spiritualisht një shkallë më lart, ashtu siç unë kërkoj të bëj gjithmonë ose shkon mbrapsht dhe nuk kthehesh më indietro. Është një fije peri që e ndan atë moment dhe unë pas 3 ditëve të para që i mbaj mend si nëpër ëndrra sepse nuk kam ngrënë, nuk kam pirë, nuk kam fjetur, nuk jam shtrirë në atë krevat, kam ndenjur në një karrige ulur në atë dhomë, se nuk dua ta quaj qeli, sepse tek e fundit nuk e ka fajin ajo, pse ta quaj qeli. Tek e fundit, ishte ajo ku unë banova për dy javë dhe u mundova dhe ta dua atë dhomë, që mos të shqetësohesha shumë. Muret ishim me emra, data, me mesazhe, poezi, kishte shumë për të parë nëpër mure dhe për të fantazuar dhe jo vetëm, por nëse përqëndroheshe, kishte shumë energji të lënë aty brenda nga gjithë njerëzit, dhimbjen që kanë përjetuar aty brenda. E ripërsëris, ngaqë e dija që do dilja shpejt, pasi unë nuk kisha lidhje me atë histori, vendosa që ta përjetoja si një nga eksperiencat e jashtëzakonshme, të çmendura që më kanë ndodhur gjatë jetës dhe ta përdorja si mjet rritjeje psikologjike dhe spirituale dhe jo si mjet auto-shkatërrimi.
Edi Rama: Pastaj si mbaroi ai makth?
Elsa Lila: Ai makth mbaroi sepse unë që në momentin e parë që hyra aty pa avokat, sepse nuk kisha avokat pasi nuk më është dashur kurrë avokati për jetën që kam bërë. Më pas, familja ime jashtë gjeti një avokat sepse është shumë e domosdoshme për burokracitë. Dhe unë kërkova me ngulm, nëpërmjet avokatit që njoha më pas, që të isha e pyetur. Doja të merresha në pyetje sepse unë nuk kam fare lidhje.
Dhe më në fund, pyetësori dhe dita mbërriti dhe ajo ka qenë një eksperiencë shumë e fortë. Ka qenë rreth 6-7 orë rresht, interrogatorio me Pubblico Ministero, me Prokurorin e Përgjithshëm të çështjes sime dhe më shumë se një interrogatorio, më pas u transformua në një intervistë. Ai shpejt u zbut nga mua. Kishte pasur të bënte gjithë jetën e tij me kriminelë të vërtetë dhe intuita e guidoi fatmirësisht drejt bindjes që unë realisht nuk jam pjesë, nuk mund të jem pjesë e kësaj lloj jete. Përpos të tjerave, njëkohësisht ishin mbyllur dhe hetimet, pra ishte kontrolluar celulari im e nuk e di të tjera hetime që ata bëjnë, në të cilat nuk rezultonte asgjë mbi personin tim. Faktet ishin bindëse.
Kryeministri Edi Rama: Por për ta mbyllur këtë, si ndodhi, çfarë ndodhi që u hap dera dhe ti ridole dhe u ktheve në shtëpi? U bë gjyq apo si ndodhi? Thjesht ai prokurori…
Elsa Lila: Jo, prokurori PM (Pubblico Ministero), drejtpërsëdrejti mbushën si të thuash dokumentet e duhura dhe quhej “Liberacione imediata di Elsa Lila”.
Kryeministri Edi Rama: Kjo ka qenë intervista më e suksesshme e jetës tënde apo jo ?
Elsa Lila: Po, absolutisht po. Dhe meqë përmende librin e jetës sime, që do ta shkruaj një ditë…
Kryeministri Edi Rama: Nuk e shkruan dot librin e jetës tënde, do duhen volume.
Elsa Lila: Volume po, por mbi këtë episod do shkruaj diçka. Do të shkruaj diçka, e para për katarsis personal dhe e dyta sepse është shumë interesante. Përtej dhimbjes, është një eksperiencë shumë interesante dhe ka shumë anekdota aty brenda, si për të qeshur edhe për të qarë. Është një jetë shumë e koncentruar aty brenda, ka shumë ngjyra aty brenda dhe është gjynah që mos t’i përmbledh e t’i harroj pastaj. Sa i kam kujtimet e freskëta dua ta bëj.
Kryeministri Edi Rama: Po do vijë një moment që do ta lësh barokun e do merresh me germat e me letërsinë, jam i sigurt. Kur të vijë ai moment, fute dhe këtë në listë dhe bëje, nuk ka problem.
Po vijmë drejt fundit, se në një bisedë me ty fundin duhet t’ia sjellësh se nuk vjen asnjëherë vetë. I dëgjova planet, i dëgjova të gjitha, dua të pyes disa gjëra. Dua të të bëj disa pyetje ndryshe.
E para, nëse do të ktheheshe mbrapa dhe do kishe mundësi të ndikoje në atë çfarë yjet kanë shkruar për ty, do ndryshoje shumë gjëra, pak gjëra apo do ndryshoje të gjithën?
Elsa Lila: Nuk do ndryshoja asnjë pikë e asnjë presje nga çdo gjë që yjësia ka vendosur të eksperimentoja sepse ndryshe unë nuk do isha kjo që jam sot apo ajo që do të jem nesër me të gjitha eksperiencat e tjera që jam e sigurt do më ndodhin, sepse akoma nuk kemi mbaruar, jemi rrugës. E vetmja gjë që do të ndryshoja ndoshta, e vetmja gjë që yjësia atë momentin e mamasë sime ta kishte eliminuar, ta kisha edhe sot. E vetmja, ajo. Pasi nuk ndodhi në mënyrë të natyrshme, por ndodhi në mënyrë artificiale.
Kryeministri Edi Rama: Yjësia të ka vendosur ty në skena të ndryshme të jetës, të ka vendosur në shtigje të ngushta, të ka vendosur gjëra, por ti vetë, në raport me pozicionet ku të ka vendosur jeta dhe me ndërveprimet që ke pasur, ke gjëra për t’u penduar që i ke bërë dhe që do i bëje ndryshe? Ti vetë.
Elsa Lila: Si të thuash, si thotë ajo fjala, të bëhem dhe një herë nuse e të them unë se si nusërohet. Sigurisht, kur mendoj shumë episode që kanë ndodhur, për disa jam krenare për zgjedhjet që kam bërë apo për zgjidhjet, për të tjerat jo natyrisht. Jam njeri dhe shpesh jam impulsive, gaboj. Dhe po, sigurisht shpesh do kisha vepruar ndryshe, por është vonë. Tashmë është bërë..
Kryeministri Edi Rama: Besoj ti e shikon herë pas here në murin e imagjinatës veten tënde pas disa vitesh. Nëse do kishe mundësi të shkruaje një pusullë e ta çojë tek yjet e të thoje “ja si dua të jem”, le të themi pas 10 vitesh, si do ishte kjo Elsa pas 10 vitesh?
Elsa Lila: Mbasi më kanë ndodhur shumë gjëra sa herë bëj plane, nuk bej plane.
Kryeministri Edi Rama: Nuk flas për plane, flas për një projeksion të dëshirës tënde.
Elsa Lila: Mbas 10 viteve do jem 52, Evita do jetë 22. Një nga dëshirat e mia është të xhiroj planetin, të bëj xhiron e botës.
Kryeministri Edi Rama: Akoma nuk u lodhe duke xhiruar?
Elsa Lila: Jo, sepse më duket e gjitha si shtëpia ime dhe më duket absurde që të vdes pa e vizituar shtëpinë time. Shtëpia ime është planeti im dhe dua të bëj xhiron e botës absolutisht dhe në atë moment mund ta bëj pasi Evita do jetë rritur dhe mund ta marr dhe me vete ose po nuk deshi të më ndiqte, jo. Sigurisht do jem duke bërë muzikë baroke dhe ëndërroj më në fund të jem nëpër teatro e akseptuar, ashtu si këngëtare e muzikës kaliske, por me zë natyral duke bërë muzikën time baroke. Ëndërroj që ndërkohë të jem arratisur nga Roma e të jem në natyrë, në një kasolle apo shtëpi fshati, e ndërkohë kam studiuar shumë dhe për erboristerisë, si të shërosh me bimët. Jam shumë e interesuar për këtë gjë e kam mësuar dhe se si është një shkencë që nuk mbaron kurrë, por jam duke e studiuar se si të shërohemi me natyrën.
Kështu që, e shikoj si një kompleks midis tërheqjes nga qyteti, arratisjes drejt barokes dhe teatrove dhe ndërkohë për disa muaj të vitit, vizitë shtëpisë së planetit tonë, tokë, dhe mbledhjes me shkrim, pasi gjithmonë shkruaj mendimet, nuk flas për libër, por shkrime.
Kryeministri Edi Rama: Po ti me babain e Evitës ke marrëdhënie të mira edhe sot që flasim?
Elsa Lila: Po, kam shumë marrëdhënie të mira.
Kryeministri Edi Rama: Po në projeksionin tënd pas 10 vitesh nuk e shikon veten me..
Elsa Lila: Një burrë apo të dashur? Le të themi që unë jam një shpirt i lirë dhe do të preferoja që të kisha më shumë shok, se sa një ekskluzivisht, jo vetëm në atë sens, por e pasura vetëm e një shoku ekskluziv të jetës shpesh të limiton raporte të tjera, ndërsa unë tashmë jam mësuar, jam një grua independente që e kam rritur Evitën vetëm dhe ndërkohë kam pasur shokët e mi, eksperiencat e mia, dashuritë e mia, kënaqësitë e mia, sigurisht dhe kështu do vazhdoj. Nuk më pëlqen të jem ekskluzive e dikujt dhe as që dikush të jetë ekskluziv e imja sepse askush nuk është i imi dhe unë nuk jam e askujt.
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë natyrshëm të të them “God bless you”.
Elsa Lila: Edhe juve.
Kryeministri Edi Rama: Ky ishte shpirti i lirë që bën atë që thotë, thotë atë që bën, do atë që bën, por edhe atë që nuk e bën dhe nuk e do, i bie përsëri që përfundon ta dojë dhe së shpejti le të shpresojmë që do të kemi fatin të përjetojmë produktin e një përpjekjeve të gjatë për të kënduar muzikën barok me zërin e paimpostuar sepse Elsa Lila çdo gjë mund të jetë, kudo mund të gjendet, gjithçka mund t’i ndodhë, por është e sigurt vetëm një gjë, që në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk di dhe nuk do të impostohet.