Behgjet Pacolli është krenar për fshatin e vet të lindjes, Marec, Prishtinë.
Nuk dihet nëse ky fshat ka qenë i famshëm dhe më parë, apo, sipas traditës së njerëzve të shquar, fati i fshatrave dhe vendlindjeve të tyre ndjek dhe fatin e këtyre figurave. Thuren legjenda për fshatin, fisin, gjenden lidhje të lashta të tyre, etj.
Behgjet Pacolli është një rast sui generis: ai ka vendosur me u kthyer me jetuar në Kosovë, dhe kalon shumë kohë në fshatin e vet, qoftë dhe në formë ecjesh fizkulturore. Por jo vetëm.
E tani që është fushata, për t’u zhvendosur nga Novobërda, një qendër interesante historike, por dhe minerare, për në Kamenicë, apo Dardanë, mund të kalosh dhe nëpër Marec.
Diku në librin e vet autobiografik, Behgjet Pacolli, i cili ka tentuar ta shndërrojë Marecin dhe në një brand ndërkombëtar produktesh elektronike, thotë se Mareci është ndoshta fshati më i madh i Kosovës, me 73 kilometër katror.
Ndiqeni këtë intervistë të pazakontë në Konica.al, ku Pacolli flet për të parët e vet, për arën ku e lindi e ëma ndërsa punonte, flet për shtëpinë që ia bombardoi ushtria serbe gjatë luftës.
Ideja që ai të rrëfente detaje, përjetime nga Mareci, ishte e këshilltarit të tij, Jetlir Zyberaj. Pacolli flet për blegtorinë si burim zhvillimi, për projektet që ka ndërmend për fshatin e tij të lindjes.
Bisedë e pazakontë brenda makinës së blinduar të Behgjet Pacollit:
Guri rëndon në vendin e vet
Mentor Nazarko: Sa herë e keni bërë këtë rrugë në këmbë?
Behgjet Pacolli: Për 9 muaj në vit, dy herë, një herë në një drejtim dhe në mbrëmje drejtimin tjeter.
Mentor Nazarko: Që nga ku deri ku?
B.P: Nga shtëpia ime deri te shkolla.
Mentor Nazarko: Sa kilometra është me atë matësin?
B.P: 6 kilometra, nuk ka patur as rrugë, asgjë, ka qenë vetëm rrugicë, po mendoj e improvizuar për këmbësorë, asgjë tjetër s’ka pasur.
Mentor Nazarko: Pak më përpara the që kur ishe i ri takoje djaj rrugës, tani ke takuar apo janë në qeveri djajtë.
B.P: Ajo është në pjesën tjetër të rrugës, hahaha, kanë hyrë në njerëz, njerzit janë djallzu tani…
Mentor Nazarko: Janë trupzu tani…
Shumë interesante p.sh. me përjetuar apo me sjellë në mendje gjithë ato kujtime të fëmijërisë, e rinisë ndërsa ecën në këto rrugë.
B.P: Është një përjetim i posaçëm, tani shkolla ku kam kryer 8-vjeçaren, kjo është shkolla.
Nazarko: Kaq e madhe ka qenë shkolla!
B.P: Kjo është shkolla, ato janë tri dritaret, te ujëmbledhësi atje në mes, ajo ka qenë gjithmonë klasa ime, se ne nuk e kemi ndërruar klasën, ne gjithmonë kemi avancuar në të njëjtën klasë.
Nazarko: Nga shkolla të krijohet ideja që është fshat i madh, sa shtëpi ka pasur?
B.P: Ka qenë një fshat i madh, këtu ka qenë një koloni, siç shihet, kanë banuar diku 200 familje në këtë pjesë këtu te shkolla dhe ka pas shitore, restorant, kinema, ka pas çdo gjë këtu, po flas për vitet e fundit, ’50-’60.
Nazarko: Edhe kanë qenë të gjithë këtu vendës?
B.P: Ka pasur edhe të ardhur, kanë qenë serbë, kanë qenë të ardhur, sidomos inxhinierë, të cilët kanë punuar në minierë, se aty ishte fillimi i horizonteve të minierës.
Nazarko: Po ka pasur edhe kishë, edhe kështjellë, apo jo?
B.P: Kisha, kështjella janë më larg e xhamia ishte, ne e pamë rrugës, afër shtëpisë ku kam lindur.
Nazarko: Çfarë motivesh mund të ketë një njeri sot për të jetuar ketu?
B.P: Ata që kanë lidhje me këtë anë, qoftë edhe miqësi, apo më mirë me thanë, ata që kanë lindur dhe janë shpërngulur, jam i bindur se atyre u rëndon koka.
Nazarko: Me pas një shtëpi të dytë këtu?!
B.P: Ajo që edhe do ta bëj për arsye se menjëherë pas viteve të ’80 kam pas ndërtuar shtëpi këtu, por ato u bombarduan gjatë luftës.
Nazarko: D.m.th. kjo është arsyeja që ju nuk keni një shtëpi të dytë këtu?
B.P: Arsyeja se ato janë bombarduar, edhe ishte një shok goxha i madh, një dëshpërim i madh, kur dikush ta dhunon pronën tënde, vendlindjen tënde?
Nazarko: Na tregove një fushë ku the këtu kam lindur unë, po nuk na tregove, ajo fusha aty, ka qenë materniteti, apo nëna ishte në arë dhe lindi duke u kthyer nga ara?
B.P: Është ajo arë, ajo fushë, janë ato ara ku nëna ime ishte duke punuar dhe…
Nazarko: A do të na e tregosh edhe një herë atë episod të lindjes?
B.P: Une kam lindur në orën 2 të mbasdites, do të thotë, deri në orën 11 ka punuar.
Nazarko: Çfarë po mblidhte, bostan, çfarë ishte?
B.P: Jo bostan, por ishte koha kur mblidhej misri, mblidhej kungulli dhe udha ishte e poshtme në fusha.
Nazarko: Duke e asociuar këtë pamje, këtë natyrë, me çfarë ke parë nëpër botë, nëpër Zvicër, çka mund të bëhet këtu?
B.P: Çmos, është vend i bukur, ka ujë, ka gjelbërim ka kodra ara, çdo gjë.
Nazarko: P.sh. konceptit tënd zhvillimor për gjithë Kosovën i ke lënë një pjesë të vogël edhe zhvillimit të kësaj zone, çfarë mund të bëhet këtu?
B.P: Unë besoj se blegtoria është në rendin e parë dhe ndoshta edhe turizmi, agroturizmi.
Jetlir Zyberaj: Ke folur edhe për një kompleks sportiv këtu.
B.P: Po de, ai agroturizmi, ai i akademisë së sporteve.
Nazarko: Behgjet, shqiptarët preferojnë më mirë që të bëjnë disa punë në Zvicër, në Itali dhe mos të bëjnë te vendi i vet, po si do ishte tërheqëse puna në blegtori për një të ri në Kosovë, si të bëhet tërheqëse?
B.P: Unë jam i bindur se duhet me dashtë, është shumë tërheqëse dhe unë kam pas shumë për të bërë, së pari është dashtë të stabilizoj familjen time të gjithë aty ku jetojmë sot në Hajvali, dhe pothuajse vendlindja ka mbetur pak anash, është anashkaluar, por kam tani plane të forta, tani që të filloj zhvillimin e anës time, aty do ta zhvilloj, jam në fazën e projektimit të një qendre akademike sportive ku sportistët do të dalin nga qyteti dhe do të vijnë do të kalojnë ditë të tëra, do të ushtrojnë dhe do të bëjnë stërvitjet e tyre, në fund ajo duhet të përcillet dhe me modele restorantesh dhe me ferma të ndryshme të kafshëve shtëpiake ku turistët do të vijnë të kenë akomodimin dhe të kenë mundësi të jenë pjesëmarrës në proceset e prodhimeve, po e quaj ashtu shtëpiake biologjike, si qumështi, gatimi i bukës, zarzavatet dhe prodhimin e produkteve nga patatet, etj.
Nazarko: E kisha fjalën këtu, si me i mbush mendjen sot një të riu të sotëm që me u marr me blegtori, d.m.th. çfarë argumenti mund të përdorim për me i thënë që, shiko, se në Zvicër blegtoria është shumë e zhvilluar!
B.P: Sot nuk besoj se dikush do të bënte klasifikim të madh, vetëm duhet t’i garantohet profiti në fund, dhe nëse fitimi është i garantuar atëherë çdo gjë do të funksiononte, tani edhe të rinjtë do ta donin atë.
Nazarko: Ka një moment që ti e thua edhe në libër, se ti kur ke ikur jashtë, në njëfarë mënyre ke ikur pa lejen e babës, apo jo, dhe duket se ke edhe një zotim aty se do kthehem dhe do bëj mirë aty, a ka ndikuar kjo gjë, ky zotim dhe ti të kthehesh në Kosovë?
B.P: Ka ndikuar, sigurisht, unë kam mund menjëherë mbas studimeve të mbetem jashtë, kam pas oferta të mira në atë kohë që të mbetem nëpër ambasada të ish-Jugosllavisë, shembull kisha një vend të punës të garantuar në ambasadën e ish-Jugosllavisë në Hamburg, por disi atë zotim se unë do të kthehem, pak a shumë e kam mbajtur në mend dhe u bë si njëfarë obligimi moral që unë të kthehem në Kosovë, dhe u ktheva.
Nazarko: …se njerëzit, domethënë kosovarët, edhe të rinjtë, se tani ne nuk kemi viza, se duam të ikim në Perëndim, kurse Behgjeti është në Perëndim dhe vjen në Kosovë dhe na thotë rri në Kosovë. Këtë si e zgjidh ti?
B.P: Është vështirë, sigurisht, ta bindësh rininë, e cila asnjëherë nuk ka dalë jashtë, që të rrijë këtu, unë e di se janë fjalë të kota, ose është kohë e humbur nëse unë mundohem që me fjalë t’i bind ata.
Rininë e bind vetëm me krijimin e mirëqenies, nëse krijon një mirëqenie dhe krijohet një interes për rininë që ata të mbesin, ata të punojnë këtu, ato do të mbesin dhe do të punojnë këtu, e shkuarjet jashtë do të ishin vetëm shëtitje turistike, asgjë tjetër, dhe ky drejtim është bërë edhe synimi ynë, që ta ndryshojmë Kosovën, që ta bëjmë të dashur për të rinjtë tanë, atë e theksoj gjithmonë.
Pa e dashtë Kosovën, nuk mund ta dirigjosh dikënd ose t’i thuash dikujt që mundesh të qëndrosh këtu, mirëpo ekziston mundësia që ti të krijosh kushte, dhe me krijimin e kushteve jam i bindur se rinia do të mendojë ndryshe.
Nazarko: Ka një përpjekje që pasi një person bëhet i famshëm dhe i shquar, atëherë fillojnë ta verifikojnë edhe vendlindjen, p.sh. Ahmet Zogu, mbreti, ka qenë nga Burgajeti, atëherë historianët edhe në mënyrë të natyrshme fillojnë ta verifikojnë, d.m.th. nga Burgajeti, vend princash.
Ka zbulime arkeologjike, edhe për Marecin thuhet ka qenë republikë, pasi ke lindur Mareci është bërë i famshëm, apo ka pas qenë më përpara?
B.P: Po tash krijohen mite, jo, Mareci është e vërtetë, është pushtuar nga komunizmi shumë vonë, vetëm në vitin 1949 kanë arritur që Marecin ta fusin nën kontrollin e tyre. Mareci ka qenë një zonë e pakontrolluar. Shyt Mareci ka qenë prijës dhe ai ka rezistuar deri në vitin 1949, 4 vite mbas luftës.
Nazarko: Që s’ka pas rrugë edhe s’ka pas rëndësi?
B.P: Ka pas edhe rëndësi, edhe rrugë, kanë ardhur edhe ushtri, po nuk kanë mundur të mposhtin Shyt Marecin, sigurisht ajo ushtri nuk është ndalur dhe ta bllokojë de facto kështu, por kanë ardhur në mënyrë sporadike për me luftu Shyt Marecin.
Nazarko: Po republikë keni bërë, më duket…
B.P: Ka qenë njëfarë territori i pavarur për Kosovën.
Nazarko: E mbyll se, në fakt, aq më shumë rri, aq më shumë tema hapen.