Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian janë mbledhur në Bruksel në një takim të rëndësishëm.
Përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme, Josep Borrell, tha se temat kryesore që do të diskutohen janë: situata humanitare në Gaza dhe lufta e Izraelit ndaj Hamasit, vazhdimi i mbështetjes së Ukrainës në luftën kundër Rusisë, dhe plani i ri i zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Madje për këtë do të mbahet edhe një takim veçmas me ministrat e jashtëm të rajonit tonë me ata të Unionit. Në deklarimin e tij në nisje të takimeve, Borrell thumboi Serbinë për mungesën e njehsimit të politikës së jashtme me atë të Bashkimit Europian, konkretisht për mungesën e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Kemi një takimin me ministrat e Jashtëm të Ballkanit. Këtë po e bëjmë për të treguar se sa i rëndësishëm është ky rajon. Ne do të diskutojmë për propozimet e fundit të Komisionit Europian për zgjerimin. Do të këmbëngulim në nevojën e ndjekjes më të afërt të politikës tonë të jashtme. Disa shtete nuk kanë një histori të mirë në rreshtimin me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet”, tha Borrell.