Bie kërkesa e juristëve të Lulzim Bashës për të përjashtuar gjyqtarin që po shqyrton ndryshimet në statut.
Basha ka kërkuar regjistrimin e ndryshimeve të Kuvendit të shtatorit dhe gjyqtar i çështjes është Niko Rrapi. Ai pranoi si palë Bardhin dhe Berishën dhe Basha ka kërkuar të përjashtohet, por kërkesa u refuzua.
Ndërkohë fillimisht gjyqtari Niko Rrapi e shtyu seancën për në 25 tetor, për shkak se palët kërkuan të njihen me dosjet dhe avokatët e Berishës te sillnin aktet e përfaqësimit.
Më pas, në 25 tetor, të tjera përplasje u krijuan në Gjykatë, ku përfaqësuesit ligjor të PD-së Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, kërkuan që Gazment Bardhit të sjellë dokumentacionin që vërteton mbledhjen e Këshillit Kombëtar të datës 28 korrik 2023, e cila është zhvilluar online, ku u kërkua mosnjohja e Bashës si kryetar i PD.
Avokatët e PD-së zyrtare u shprehën se shkresa mbi të cilën prodhohet kërkesa ndaj Gjykatës mund të jetë në kushtet e falsifikimit të dokumenteve. Ndërkohë Gjykata ka rrëzuar kërkesën e Sefës dhe Kthupit për të detyruar palën tjetër që të sjellin dokumentacionin e plotë në procesin gjyqësor.
Sakaq Sefa kërkoi përjashtimin e gjykatësit Niko Rapi duke theksuar se po tregohet i anshëm në këtë proces.