Open Data Albania ka analizuar 100 tenderët me më shumë vlerë kontrate për vitin 2022. Sipas të dhënave, 39 prej tyre kanë procedura të limituara, duke sjellë risk të lartë për garën dhe konkurrencën. Sipas Open Data, eficensa ekonomike në tenderim për këta 100 tenderë është përkeqësuese. “Asnjë nga tenderat nuk ka garantuar ofertë më pak se 95% e vlerës fond limit. Madje pjesa kryesore e kanë këtë nivel 99.9 %”. Tetë nga dhjetë kontratat me vlerë më të madhe për 2022, rezultojnë me Red Flag (Flamur të Kuq) risk për parregullsi në procedurë, probleme të garës dhe konkurrencës. Ndër këta tre tenderët kryesorë gjatë 2022 i ka mbajtur Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Ja tenderat
Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë (Faza 1) është tenderi me vlerë më të lartë për 2022. Autoritet Prokurues është ARRSH. Kompania fituese Alb-Buidling dhe vlera e Ofertës Fituese 2.18 miliard Leke. Procedura e këtij kontraktimi është e hapur Ndërkombëtare. Fituesi u shpall në tetor, ndërsa gjatë vlerësimit u s’kualifikuan 4 konkurrentë me ofertë më të ulët. Në garë morën pjesë 6 operatorë ekonomikë. Kontrata e dytë me vlerën më të lartë është po tender i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Kontrata ka vlerë 2.165 miliardë lekë dhe është fituar nga A.N.K . Objekt ndërtimin e rrugës Korçë – Ersekë (Loti 2). Edhe ky tender është shënuar me Red Flag, për arsye të skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Renditet e treta me vlerën më të lartë kontrata me objekt “Qendra e monitorimit të trafikut”, fituar nga bashkimi i operatorëve që kryesohet nga MC Netëorking në bashkëpunim me Intera Elektronik Sanayi ve Ticaret Anonim Sirk, dhe Gjoka Konstruksion vlerë pa TVSH 2.12 miliardë lekë. Po njësoj edhe kjo kontratë ka si autoritet prokurues ARRSH-në dhe po njësoj ka një Red Flag shenjë e indicieve për parregullsi. Ndërtimi i Teatrit Kombëtar faza I, renditet procedura e katërt në radhë sipas vlerës. Ky tender u zhvillua nga Bashkia Tiranë. Oferta fituese është 1.84 miliard lekë dhe gjatë procedurës u skualifikuan të gjithë operatorët veç fituesit Agi Kons në bashkëpunim me BE-IS. Në vend të pestë renditet kontrata për furnizim me oksigjen dhe gaz për përdorim mjekësor me autoritet prokurues Ministrinë e Shëndetësisë, fituar nga Bashkimi i Operatorëve ekonomik GTS shpk dhe Messer Albagaz me ofertë të suksesshme pa TVSH 1.62 miliardë lekë. Tenderi shfaq probleme me konkurrencën (Red Flag) për shkak të zhvillimit të garës me një konkurrent të vetëm. Organizata AIS monitoron çdo ditë tenderime të sektorëve kryesor në vend si Infrastrukturë Rrugore; Infrastrukturë Zhvillim; Shëndetësi; Kontraktime të Qeverisjes Vendore; Kontraktime të Shoqërive Publike.
Shqetësimet e DASH
Duke parë problematikat e shpeshta me tenderat në Shqipëri, kujtojmë dhe mesazhet e forta të Departamentit Amerikan të Shtetit. Raportet e fundit të DASH për “Klimën e Investimeve” kanë evidentuar si shqetësime kryesore korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera, zbatimin e dobët të kontratave si dhe peripecitë që heqin investitorët e huaj në Shqipëri të cilët e thonë troç se “Shqipëria është një vend i vështirë për të bërë biznes”. “Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë”, thuhet në raportet amerikane.