MENU
klinika

Vendimi për "21 Janarin"

Nga çadrat pistoletë, te presionet ndaj Ina Ramës dhe zhdukja e filmimeve, Strasburgu ‘fundos’ Berishën

14.11.2023 - 18:37

Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut sa i takon vrasjeve të “21 Janarit”. Familja Nika kërkon ende drejtësi për vrasjen e djalit të tyre Aleks, pasi për të askush nuk është akuzuar dhe ndëshkuar. Ata ju drejtuan Strasburgut dhe gjykata doli sot me një vendim, ku kërkon të hetohet me korrektësi kjo dosje.

“Pamfleti” ka siguruar vendimin e plotë të Strasburgut dhe aty i jepet një goditje e fortë Sali Berishës. Gjykata kujton momentin kur Berisha doli e fliste për çadra pistoletë e thika me helm. Po ashtu përmend presionet ndaj Prokurores së Përgjithshme të asaj kohe Ina Rama.

Zyrtarë të lartë kishin bërë disa deklarata publike të nxituara menjëherë pas incidentit, duke thënë se viktimat ishin qëlluar në distancë të afërt dhe me lloje armësh të ndryshme nga ato në përdorim nga Garda dhe policia. Prokurorja e Përgjithshme u ishte nënshtruar kritikave të ashpra nga Kryeministri i atëhershëm dhe nga një komision hetimor parlamentar, i cili kishte nisur punën paralelisht me hetimin penal. Një qasje e tillë pati një ndikim negativ në efektivitetin e hetimit, në veçanti për shkak të potencialit për t’i dekurajuar dëshmitarët për të bashkëpunuar me hetimin”, thekson gjykata.

Më tej tërhiqet vëmendje dhe për skandalin me urdhër-arrestet. Policia refuzoi të zbatonte urdhrin e gjykatës dhe prokurorisë.

Edhe pse ishin lëshuar urdhër-ndalime në lidhje me oficerët e dyshuar të Gardës së Republikës, ato nuk ishin zbatuar, me pretendimin e pasaktësive në përmbajtjen e tyre. Ishin vetë oficerët ata që u dorëzuan 18 ditë më vonë, çfarë solli një humbje kohe në një fazë kritike, si dhe të mundësisë për të minimizuar bashkëpunimin ose shtrembërimin e së vërtetës”, thekson Gjykata e të Drejtave të Njeriut. Po ashtu si skandaloz përmendet fakti se u fshinë filmimet e kamerave të sigurisë në Kryeministri.

Vendimi i Gjykatës

Hetimi

Megjithëse reagimi i autoriteteve ndaj incidentit kishte qenë i shpejtë, Gjykata konsideroi se kishte pasur një numër mangësish që ngjallnin dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin hetimin apo të ndërhynin padrejtësisht.

Së pari, zyrtarë të lartë kishin bërë disa deklarata publike të nxituara menjëherë pas incidentit, duke thënë se viktimat ishin qëlluar në distancë të afërt dhe me lloje armësh të ndryshme nga ato në përdorim nga Garda dhe policia. Prokurorja e Përgjithshme u ishte nënshtruar kritikave të ashpra nga Kryeministri i atëhershëm dhe nga një komision hetimor parlamentar i cili kishte nisur punën paralelisht me hetimin penal. Një qasje e tillë pati një ndikim negativ në efektivitetin e hetimit, në veçanti për shkak të potencialit për t’i dekurajuar dëshmitarët për të bashkëpunuar me hetimin.

Për më tepër, edhe pse ishin lëshuar urdhër-ndalime në lidhje me oficerët e dyshuar të Gardës së Republikës, ato nuk ishin zbatuar, me pretendimin e pasaktësive në përmbajtjen e tyre. Ishin vetë oficerët ata që u dorëzuan 18 ditë më vonë, çfarë solli një humbje kohe në një fazë kritike, si dhe të

mundësisë për të minimizuar bashkëpunimin ose shtrembërimin e së vërtetës. Po ashtu ishte me rëndësi fakti që regjistrimet video të incidentit, të ruajtura në dhomën e serverit të Kryeministrisë, ishin fshirë. Dyshimi se fshirja mund të kishte qenë e qëllimshme nuk gjeti përgjigje në procesin penal kundër një nëpunësi të teknologjisë së informacionit, proces i cili nuk arriti të përcaktonte se prej kujt dhe si ishin fshirë regjistrimet.

Të tjera mangësi në hetim përfshinin mos-hetimin e mundësisë që demonstruesit, duke përfshirë edhe të afërmin e kërkueseve, ishin shënjestruar drejtpërdrejt dhe deri në ç’masë oficerët komandues kishin qenë përgjegjës për rrjedhën e ngjarjeve. Nuk ishte përcaktuar as një kronologji e saktë e ngjarjeve, duke përfshirë sekuencën dhe natyrën e urdhrave të dhënë nga ata që ishin në zinxhirin komandues të Gardës dhe momentin e saktë kur viktimat ishin qëlluar. Në fakt, disa pista kyçe hetimi, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë, nuk ishin shteruar.

Më tej, sa i përket mangësive në hetimin konkret për vdekjen e të afërmit të kërkueseve, Gjykata gjeti se autoritetet nuk kishin kryer në kohë ekspertizën mbi trupin e viktimës dhe kërkueset u ankuan se u ishte mohuar aksesi gjatë hetimit, pretendim që Qeveria nuk mundi ta rrëzojë me prova. Prandaj, marrë parasysh tërësinë e rrethanave, Gjykata gjeti se hetimi i çështjes nuk kishte qenë efektiv pasi nuk kishte arritur të përcaktonte të vërtetën apo të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, çfarë përbën shkelje të nenit 2.

Përdorimi i forcës dhe vdekja e të afërmit të kërkueseve

Edhe pse gjykatat kombëtare e kishin gjetur Shtetin përgjegjës për vdekjen e të afërmit të kërkueseve dhe këto të fundit kishin marrë dëmshpërblim, rrethanat e hapjes së zjarrit ende nuk janë përcaktuar qartë. Në veçanti, nuk është vërtetuar në nivel kombëtar se i afërmi i tyre kishte vdekur si pasojë e përdorimit të një arme zjarri nga një oficer i caktuar i Gardës. Identiteti i atij oficeri apo i ndonjë personi tjetër të përfshirë nuk është përcaktuar. Prandaj, Gjykata hodhi poshtë argumentin e Qeverisë se kërkuesit kishin humbur statusin e viktimës.

Gjykata vijoi duke gjetur se kishte pasur tre grupe kryesore mangësish në përdorimin e forcës që solli vdekjen e të afërmit të kërkueseve. Së pari, në atë kohë kishte pasur mangësi në kornizën ligjore që rregullonte përdorimin e armëve të zjarrit në kontekstin e tubimeve masive. Gjykata e gjeti problematike faktin se legjislacioni vendas autorizonte përdorimin e armëve të zjarrit për mbrojtjen e pronës, pa përcaktuar qartë se cilat rrethana saktësisht do ta justifikonin një veprim të tillë. Ligji ka ndryshuar ndërkohë duke përfshirë kushtin që jeta e atyre që janë përgjegjës për mbrojtjen e një objekti duhet të jetë në rrezik.

Më pas, Gjykata vijoi me identifikimin e defekteve serioze në planifikimin dhe kontrollin e protestës, pavarësisht se autoritetet kishin pasur kohë për t’u përgatitur pasi ishin njoftuar disa ditë përpara. Gjykata vuri në dukje në veçanti se nuk kishte pasur udhëzime të qarta për përdorimin e forcës vdekjeprurëse apo për kontrollin e turmës, si dhe kishte munguar bashkërendimi i duhur midis Gardës së Republikës dhe policisë, si edhe një zinxhir i qartë komandues. Sasia e gazit lotsjellës në dispozicion dhe vetëm një automjet ujë-shpërndarës nuk kishin qenë të mjaftueshme për të shpërndarë turmën dhe policia nuk ishte pajisur me maska kundra gazit; si rrjedhim, atyre iu desh të tërhiqeshin dhe të linin Gardën e Republikës për t’u përballur e vetme me turmën e protestuesve.

Si përfundim, Gjykata konsideroi se autoritetet nuk dëshmuan se përdorimi i forcës vdekjeprurëse që rezultoi në vdekjen e të afërmit të kërkueseve kishte qenë absolutisht i nevojshëm në rrethanat e rastit. Proceset kombëtare nuk shqyrtuan nëse forcat e sigurisë mund të kishin përdorur mjete të tjera (jo-vdekjeprurëse) të kontrollit të turmave, të cilat në ditën e ngjarjeve ishin përdorur shumë pak dhe kjo për motive që nuk janë shpjeguar nga autoritetet. I afërmi i kërkueseve nuk përbënte ndonjë kërcënim për Gardën e Republikës dhe Gjykata nuk mund të pranojë argumentin se mbrojtja e një ndërtese në vetvete përbënte bazë legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Edhe nëse do të pranohej argumenti se oficerët kishin qëlluar në ajër si formë paralajmërimi, është e vështirë të imagjinohet se zjarr-qitja në një kënd të kujdesshëm do të kishte goditur në kokë të afërmin e kërkueseve, qoftë edhe si pasojë e një plumbi rikoshet, ndërsa ai ishte duke qëndruar në këmbë afër trotuarit përballë Kryeministrisë. Në fakt, vetë Qeveria Shqiptare kishte pranuar se forca e përdorur kishte qenë “shpërpjesëtimore”.

Rrjedhimisht, ka pasur një shkelje të nenit 2 sa i përket vdekjes së të afërmit të kërkueseve.

Neni 41 (shpërblimi i drejtë)

Kërkuesit nuk dorëzuan kërkesë për shpërblim të drejtë.

Neni 46 (forca detyruese dhe ekzekutimi i vendimeve)

Ligjet që rregullojnë përdorimin e armëve të zjarrit janë ndryshuar pas incidentit në fjalë dhe të shtënat në ajër si mjet për shpërndarjen e turmave janë tashmë të ndaluara me ligj. Gjykata vendosi se i takon Komitetit të Ministrave, organit ekzekutiv të Këshillit të Evropës, ta ndjekë ekzekutimin e vendimit dhe të vlerësojë nëse këto masa të përgjithshme dhe masat e tjera të sugjeruara nga Qeveria Shqiptare janë efektive.

Ajo gjithashtu konsideroi se autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së të afërmit të kërkueseve dhe të identifikojnë dhe ndëshkojnë personat përgjegjës.

Shënimi i 80 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë

Kryeministri Rama homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Dyshimet se pas vrasjes fshihet një grup i strukturuar kriminal

Atentati mafioz ndaj djalit të ish-gjyqtarit, dosja i kalon SPAK!

“Distancohem nga çdo bisedë e kolegut tim me Suel Çelën“

I doli emri në dosje, gazetari reagon nga SHBA