Sali Berisha i pyetur lidhur me vendimin e një dite më parë nga Gjykata e Strasburgut për Aleks Nikën, tha se “është 100% dakord për hetim dhe rihetim të çdo procesi” referuar 21 janarit, ngjarjes së rëndë të 2011 ku 4 protestues mbetën të vrarë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Në një konferencë për mediet, Berisha lë të kuptojë se nuk e njeh vendimin, pasi shprehet se gjykatësit e Strasburgut nuk janë sqaruar si duhet, ndërsa sulmoi kryeprokuroren e asaj kohe, Ina Rama, duke e cilësuar si militante të PS.
“Jam 100 përqind dakord për hetim dhe rihetim të çdo procesi. Por sqaroj shqiptarët se nëse ai proces nuk është hetuar siç duhet, ai nuk është hetuar vetëm për shkak të Edi Ramës. Për të mbrojtur Edi Ramën, i cili është autori i vërtetë prapa asaj që ndodhi.
I cili erdhi dhe e rrethoi kryeministrinë me banda dhe banditë, në një protestë më të dhunshmen në historinë e vendit. Me qëllime të caktuara ndaj pushtetit. Edi Rama i ka të gjithë deklaratat e tij në televizion, se kur populli do të bëjë këtë, se kur populli do bëjë atë.
Kështu që ishte ky kontekst që bëri që Ina Rama dhe jo akuzat e mia ndaj Ina Ramës. Se unë publikisht i bëra të qartë qëndrimet ndaj saj, të mos bëjë, ndoshta siç thotë Strasburgu, hetimin e duhur. E dyta, ky proces, në masën 80 përqind është hetuar pasi Sali Berisha ka ikur nga pushteti. Dhe është hetuar nga Ina Rama, një militante e verbër e PS, një person me kredencialet më të ulëta që mund të ketë një njeri. Ua them unë se kanë dalë shumë gjëra mbrapa.Dhe një person, që kur përfaqësuesi i qeverisë amerikane, erdhi dhe dha një kontribut të madh në atë kohë, e them me shumë vërtetësi, dhe unë kërkoja një prokuror ndërkombëtar për hetim, ajo refuzonte. Dhe aty, lexoni se çfarë tha zoti Countryman për Ina Ramën. I keni deklaratat në median tuaj.
Natyrisht nuk mund të mos them këtu, se keqardhja ime është se në atë vendim, ndodhet firma e Dorian Pavlit, kushëririt të Edi Ramës. Po të kishte qenë një gjykatës tjetër shqiptar, do të mund të kishte sqaruar gjykatësit e nderuar të Strasburgut, për të cilët unë them përsëri, për hetimin le të bëhet dhe ribëhet sa herë të jetë e nevojshme, do kishte sqaruar se kushëriri i Dorian Pavlit, është nxitësi kryesor i asaj që ndodhi, nga jashtë, me fakte dhe dokumente.
Do kishte sqaruar se Ina Rama është një militante e partisë së Edi Ramës, e cila nuk bëri hetimin sepse i duhej të thërriste Edi Ramën. Sepse komuniteti ndërkombëtar kërkonte në mënyrë të prerë që të hetohen organizatorët dhe autorët e asaj që ndodhi. Po duket Dorian Pavli, ka qenë aty njëkohësisht avokat i Edi Ramës. Nuk ka qenë gjykatësi përfaqësues, i paanshëm i Shqipërisë”, tha Berisha.
Gjykata e Strasburgut në vendimin për Aleks Nikën, thotë se ka dy shkelje në këtë çështje: Vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes! Në vendimin e kësaj gjykate theksohet se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa fajtori duhet të dënohet.
Gjykata e Strasburgut vë në dukje se Prokuroria e Përgjithshme është përballur me një detyrë të vështirë “Hetimi i kryer në këtë rast nuk mund të konsiderohet si efektiv e që të çon në identifikimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për ngjarjet e supozuara dhe të vërtetimit të së vërtetës. Fokusi duhet të jetë në përgatitjen e ndjekjeve penale kundër atyre që dyshohen se kanë kryer krime. Duhet pranuar se disa nga aktet e kryera këtë ditë duhet të konsiderohen si krime, pavarësisht nga klima politike dhe pavarësisht se kush e nisi dhunën. Ekziston nevoja për hetime të plota, të paanshme dhe të besueshme për njeriun shkeljet e të drejtave të cilat ndodhën më 21 janar 2011”, thuhet më tej.
Një hetim i mëparshëm për vrasjet e 21 janarit dërgoi të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Hekuran Dedajt, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit ndodhën nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite burg. Në 21 janar 2011, opozita socialiste thirri në protestë qytetarët, pas videoskandalit Meta-Prifti, ku flitej për aferë korruptive. Protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë, me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha. Por, kur turma tentoi të hynte në oborrin e Kryeministrisë, situata u tensionua dhe shumë shpejt nisën të shtënat me armë nga ambienti i brendshëm.