MENU
klinika

Mesazh Berishës, Metës dhe kritikëve të drejtësisë

Soreca: SPAK të vijojë luftën pa trysni politike e pa ndërhyrje

15.11.2023 - 21:42

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca, thotë se SPAK-u duhet të vijojë punën për të luftuar pandëshkueshmërinë pa trysni politike dhe pa ndërhyrje. Zoti Soreca i bëri këto komente në një intervistë për Zërin e Amerikës, përpara largimit të tij nga Shqipëria.

Mesazhi i tij duket se ishte për Berishën, Metën dhe të gjithë ata që po godasin drejtësinë.

Gjatë bisedës me korrespondentin tonë në Tiranë Armand Mero, ai flet për vëmendjen e shtuar që ka marrë procesi i zgjerimit të BE-së, mbi pritshmëritë për nisjen e bisedimeve për grupkapitujt e parë me Shqipërinë në fund të këtij viti dhe ndikimin që mund të ketë Greqia, si dhe për çështjen e programit IPARD, fondet e të cilit për bujqësinë shqiptare janë pezull, pas hetimeve të kryera nga Zyra europiane kundër mashtrimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, Komisioni europian prezantoi së fundmi raportet vjetore për vendet aspirante, miratoi gjithashtu dhe Planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor. Disa javë më parë në Tiranë u mbajt takimi i nivelit të lartë të Procesit të Berlinit. Qartësisht ka një vëmendje të shtuar, madje si kurrë më parë në vitet e fundit për Rajonin. Por procesi është një vallëzim që kërcehet dyshe. Në gjykimin tuaj, sa janë të përgatitura vendet e Balkanit dhe specifikisht Shqipëria për ta shfrytëzuar këtë moment?

Ambasadori Soreca: Para së gjithash, faleminderit që më ftuat. Keni të drejtë, ka një rritje të vëmendjes për zgjerimin dhe është e qartë që kjo shkon pas në kohë, më 24 shkurt 2022, kur lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi kontekstin gjeopolitik në Evropë dhe Bashkimi Evropian kuptoi rëndësinë që ka politika e zgjerimit për të garantuar sigurinë në kontinentin tonë, prosperitetin dhe stabilitetin në periudhën afatgjatë, sepse Ballkani është në qendër të Bashkimit Evropian dhe mund të jetë subjekt i ndikimit të një vendi të tretë. Ndaj kjo ka sjellë një dimension të ri për zgjerimin.

Në të njëjtën kohë, zgjerimi është një proces shumë kompleks dhe kërkon kohë. Si ta përshpejtojmë procesin? Ja pse, përveç raportit për vendin, Komisioni Evropian ka paraqitur edhe atë që e quajmë Plani i Rritjes. Plani i Rritjes ka një objektiv të qartë. Ka një hendek të madh në nivel ekonomik dhe social mes Evropës Perëndimore dhe Evropës Juglindore, që ndikon tek aftësia e vendit për të ecur përpara. Ndaj objektivi është përshpejtimi dhe ngushtimi i këtij hendeku duke sjellë që më parë disa nga përfitimet që sjell anëtarësimi.

Për ta bërë këtë, Plani i Rritjes identifikon në fillim mundësinë e vendit të rajonit për të hyrë në tregun unik të BE-së, që do të thotë se qytetarët mund të përfitojnë nga zona unike e pagesës me euro, transport më i mirë rrugor, tranzicion më i mirë digjital që para anëtarësimit. Por duke e hapur tregun për BE-në, gjashtë vendet e Ballkanit duhet të hapin edhe tregun e tyre, të ashtuquajturin Tregun e Përbashkët Rajonal, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë nga hapja e tregut unik.

Shtylla e tretë e Planit të Rritjes është përshpejtimi i reformës dhe këtu vijmë te pika juaj. Është e rëndësishme që gjatë kësaj periudhe, 2024-2027, e cila është periudha e Planit të Rritjes, vendet të përgatisin një agjendë të rinovuar reformash, dhe ndërveprimi me BE-në për këtë, do të nisë shumë shpejt, gjatë dy javëve të ardhshme.

Do të jenë dy ekipe kryesore që do t’i shqyrtojnë këto reforma që duhen çuar përpara. Për të bërë çfarë? Për të përmirësuar, për shembull, mjedisin e biznesit në mënyrë që të përfitojnë nga asistenca financiare që do të vijë në Shqipëri. Po flasim për 6 miliardë euro, 2 miliardë për grante dhe 4 miliardë për hua për të gjithë rajonin. Pra, po i përgjigjem pjesës së dytë të pyetjes suaj: A është Shqipëria gati?

Shqipëria ka pasur një vit 2023 shumë pozitiv, procesi i shqyrtimit (screening) ka qenë i suksesshëm. Komisioni Evropian është gati për të ecur përpara. Pra Shqipëria ka bërë progres nga ky këndvështrim. Por tani ka ardhur koha të mos e humbasim këtë mundësi. Në këta katër vjet Shqipëria duhet të përshpejtojë ritmin e reformave. Pra, udhëheqja e fortë politike, disiplina dhe profesionalizmi në gjithë administratën publike do të ishin shumë të rëndësishme. Shpresojmë që në fund të kësaj periudhe, Shqipëria do të jetë në një pozicion të atillë, së bashku me gjashtë vendet e tjera, që të korrë përfitimet e kësaj përpjekjeje të rëndësishme nga BE-ja.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, pavarësisht vullnetit të mirë, duket se vetë BE nuk ka formësuar një rrugë të re të qartë për rajonin e Ballkanit. Nga njëra anë kemi Presidentin e Këshillit Evropian që flet për një afat, vitin 2030, por që “përgënjeshtrohet” nga kolegët e tij. Gjermania ka paraqitur po ashtu një udhërrëfyes për integrimin. Franca ndërkohë ka hedhur idenë e një Unioni me rrathë koncentrik. Çfarë po ndodh?

Ambasadori Soreca: Po lexoja dje shkrimet e para nga Jean Monnet. Jean Monnet thoshte: “Evropa do të bëhet përmes krizave dhe do të jetë rezultat i vendimeve të marra gjatë këtyre krizave”. Nuk jemi në krizë, por jemi në periudhë evolucioni. Aktualisht kriza erdhi nga ngjarjet dramatike të vitit 2022. BE-ja tani e kupton se nga njëra anë duhet të përshpejtojë zgjerimin, por nga ana tjetër duhet të jetë gati për të pritur në shtëpi 10 pronarë të tjerë apartamentesh në këtë ndërtesë të madhe.

Por rregullat e lojës duhen rishikuar dhe ja pse ky proces ka nisur para disa muajsh, me disa propozime, dhe mund t’ju them se ka shumë debate në Bruksel se si të sigurohemi që Unioni mund të bëhet më i fortë me këtë valë të re zgjerimi. Ekziston nevoja për të rishikuar shumë rregulla. Të punosh me 27 anëtarë nuk është njësoj si të punosh me 35 apo 37, me implikimet që ka. Prandaj do ta shihja këtë moment si moment pozitiv në periudhën afatgjatë, dhe shpresojmë se në fund të kësaj periudhe do ta bëjë Bashkimin Evropian të jetë gati për të pritur banorët e rinj të shtëpisë.

Zëri i Amerikës: Ambasador Soreca, Komisioni europian rekomandon që në fund të vitit të nisin bisedimet për grupkapitujt e parë, me Shqipërinë. Megjithatë vendimi i takon Këshillit europian. Dhe eksperiencat e të shkuarës kanë dëshmuar se vullneti i Komisionit jo gjithnjë përputhet me atë të vendeve anëtare. Mjaft të kujtojmë këtu bllokimin e gjatë të Greqisë ndaj Shkupit, pastaj atë të Bullgarisë po ndaj Maqedonisë së Veriut. Tani kemi Greqinë e cila publikisht ka paralajmëruar kushtëzimin e rrugëtimit të Shqipërisë me “Çështjen Beleri”, dhe duket se po vepron në këtë drejtim. Situata të tilla a nuk rrëzojnë gjithë premtimet për ta përshpejtuar procesin?

Ambasadori Soreca: Mendoj se është e rëndësishme këtu të themi se Raporti për Shqipërinë i nxjerrë nga Komisioni ka identifikuar qartë objektivin e hapjes së grupimit të parë me Shqipërinë deri në fund të vitit, të ashtuquajturit kapituj themelorë, 23 dhe 24. Ky është objektivi për të cilin Komisioni Evropian po punon me Shtetet Anëtare.

Siç e thatë edhe ju, dhe me të drejtë, sepse ky është rregulli i shtëpisë, varet nga shtetet snëtare në Këshill që të vendosin. Po bëhen diskutime, po vlerësohen pozicione të ndryshme. Mendoj se është e rëndësishme tani të mbajmë parasysh synimin përfundimtar, të sigurohemi se puna e bërë deri tani do të shpërblehet.

Për çështje specifike nuk do të hyj në hollësi, kuptohet, por shpresa jonë është që të gjendet një zgjidhje e shpejtë duke respektuar plotësisht shtetin e së drejtës.

Zëri i Amerikës: Zoti ambasador, duke qëndruar tani te zhvillimet në Shqipëri. Raporti i Komisionit shprehet se mbikqyrja e ekzekutivit nga ana e parlamentit mbetet e kufizuar. Gjatë vitit, por dhe tani kemi disa kërkesa të opozitës për komisione hetimore që hidhen poshtë, me arsye të ndryshme. Si do të mund të bëhej mbikqyrja e ekzekutivit, kur mekanizmi për ta bërë këtë, nuk merret në konsideratë nga një shumicë që ka mbi 10 vjet në pushtet? Kjo ka sjellë nga ana tjetër, thuajse paralizimin e parlamentit, me një grup deputetësh që në shenjë proteste e bllokojnë atë. Madje as seanca e Komisionit të Integrimit ku do të merrnit pjese dhe ju nuk u zhvillua..

Ambasadori Soreca: Për këtë pikë mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë, dhe do t’i kthehem Raportit për Shqipërinë të sapo nxjerrë nga Komisioni, që kriteret demokratike janë po aq të rëndësishme sa dhe kriteret politike dhe reformat.

Ndaj për ne, funksionimi i institucioneve demokratike është në zemër të procesit të integrimit në BE dhe raporti ka identifikuar qartë polarizimin që po ndodh në këto momente duke penguar aftësinë e parlamentit për të funksionuar, përfshirë të kërkuarit llogari qeverisë.

Mendoj se tani është koha e duhur që forcat politike të kuptojnë, siç po thoshim edhe më parë, se jemi në një pikë kritike për të ardhmen e rajonit dhe të vendit. I ftojmë t’i kapërcejnë këto ndarje, pikërisht duke i vendosur në qendër të punës së bashku për integrimin në BE. Janë 91% e shqiptarëve që e mbështesin integrimin në BE. Integrimi në BE është një objektiv ndërpartiak dhe dëshira jonë është që kjo të bëhet pika e nisjes për ta kapërcyer këtë ndarje, për t’u siguruar që ky moment të mos humbet për shkak të këtij polarizimi.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, në raport thuhet se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz, se është i përhapur në të gjitha nivelet. Nga ana tjetër kemi qeverinë e cila përsërit se ka ndërmarrë e po ndërmerr reforma për ta luftuar këtë fenomen. Megjithatë, përcaktimi i BE-së ka mbetur i pandryshuar në vite. A do të thotë kjo se këto reforma nuk kanë sjellë rezultatin e duhur?

Ambasadori Soreca: Kur e shoh këtë fenomen, fenomenin serioz të korrupsionit, me përvojën time mundohem gjithnjë të shoh periudhën afatgjatë. Merr një helikopter dhe vështro periudhën afatgjatë. Shikoni reformën në drejtësi. Kur unë erdha në vitin 2018 ishim në qendër të zbatimit. Dua t’ju tregoj një anekdotë. Kur u ktheva përsëri në shtator të këtij viti, në Rinas pashë ekranin e televizorit dhe pashë një lajm me germa të vogla që thoshte se ishin emëruar anëtarët e 18-të dhe 19-të të Gjykatës së Lartë. Të nesërmen po shikoja gazetat që e kishin si lajm dhe kishte kaluar pothuaj pa rënë në sy. Më kujtohet periudha kur emërimi i gjyqtarit të gjashtë, të shtatë, të tetë, shihej si arritje e madhe. Tani, ky normalitet, që duhet të jetë rregull, na tregon se si është bërë progresi.

Kjo është thjesht një anekdotë për t’ju thënë se nëse shihni periudhën afatgjatë, është bërë progres. A mjafton? Absolutisht jo. Korrupsioni është ende i pranishëm, është shqetësim serioz për ne, dhe siç thuhet në Raport, duhet trajtuar me seriozitet, përfshirë edhe rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. SPAK sigurisht ka bërë progres dhe kjo mirëpritet në raport, përfshirë edhe trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ne i mbështesim këto veprime.

Ne e ftojmë SPAK-un dhe gjithë autoritetet e drejtësisë të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim për të krijuar një historik të qëndrueshëm për të luftuar kulturën e mosndëshkimit pa trysni politike dhe pa ndërhyrje. Sigurisht që do t’i kenë autoritetet e drejtësisë në anën e tyre.

Mendoj gjithashtu se hetimi financiar duhet të vazhdojë për të qenë një nga objektivat e veprimit të autoriteteve të drejtësisë, sepse është vërtetuar se kjo është rruga e ardhshme. Unë përdor fjalët “Ndiq paratë”, sepse kjo vjen nga përvoja e mëparshme, por mendoj se është shumë e rëndësishme që ky proces të jetë i qëndrueshëm dhe të vazhdojë në periudhën afatgjatë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, veprimtaria e SPAK-ut është vlerësuar në raport. Por nga një pjesë e opozitës, ky organ po akuzohet se është nën kontrollin e kryeministrit dhe se vepron për llogari të tij. Ju keni qenë gjatë në Shqipëri dhe praktikisht në periudhën e formësimit të kësaj strukture, cili është vlerësimi juaj?

Ambasadori Soreca: Siç e thashë më parë, mendoj se SPAK po zbaton mandatin e vet dhe këtë po e bën duke shqyrtuar rastet e nivelit të lartë të korrupsionit. Kemi pasur edhe dënimet e para të nivelit të lartë kohët e fundit, të ish-ministrave.

Mendoj se është e rëndësishme që puna të vazhdojë plotësisht, me drejtim të qartë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kuptojnë se reforma shumë serioze që është bërë që prej vitit 2016 në fushën e drejtësisë po sjell vërtet rezultate.

Zëri i Amerikës: Një pyetje, lidhur me çështjen e programit IPARD II. Në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” Delegacioni shprehet se raporti i është dorëzuar autoriteteve shqiptare dhe se pret prej tyre që ta marrin shumë seriozisht këtë çështje. Çfarë do të thotë kjo, çfarë realisht prisni nga autoritetet shqiptare?

Ambasadori Soreca: Ju e dini që Komisioni Evropian ka marrë një raport nga OLAF, e ka vlerësuar dhe më pas ia ka transmetuar kërkesën e tij autoriteteve shqiptare duke u kërkuar atyre të marrin masa deri në fund të vitit. Mbi këtë bazë, Komisioni Evropian do të vlerësojë se cilat do të jenë hapat e ardhshme. Megjithatë, ndërkohë, për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian, siç e dini, pagesa e IPARD II dhe rekomandimi për IPARD III janë ndërprerë. Pse? Sepse po flasim për para të taksapaguesve të BE-së, prandaj duam që kjo çështje të merret shumë seriozisht. Prandaj presim që qeveria shqiptare të veprojë shumë seriozisht për trajtimin e kërkesës së Komisionit, në mënyrë që nëse kjo kërkesë plotësohet, të mund të rinisim këtë program shumë të rëndësishëm që ka prodhuar përfitime konkrete për qytetarët shqiptarë dhe të ndihmojmë një nga fushat më të rëndësishme të ekonomisë së Shqipërisë: bujqësinë.

Ne e dimë sa e rëndësishme është, ndaj synimi përfundimtar është që ta zgjidhim këtë problem në një mënyrë që të plotësojë kërkesën e Komisionit dhe të rinisë programi në dobi të bujqësisë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje, zoti Ambasador, kjo është intervista juaj e fundit. Si e vlerësoni mandatin tuaj dhe kthimin tuaj pas muajsh në Shqipëri, që ka qenë shumë intensiv.

Ambasadori Soreca: Ka qenë shumë intensiv. Po flisja me kolegët dhe pamë që ishin dhjetë javë, por duken si dhjetë muaj duke parë numrin e çështjeve dhe takimeve që janë zhvilluar, katër takime ministeriale në kuadër të Procesit të Berlinit, Samiti i Procesit të Berlinit, finalizimi i Raportit të Shqipërisë, një numër dosjesh të tjera të rëndësishme që më është dashur t’i shoh me shumë vëmendje.

Jam i privilegjuar dhe i nderuar që m’u kërkua të kthehem. Një anekdotë tjetër. Isha në Bruksel të hënën. Isha atje për finalizimin e raportit dhe u ktheva në Shqipëri, dhe kur po i tregoja pasaportën policit në Rinas, ai m’u drejtua në shqip dhe tha: “Ambasador, mirëserdhe në shtëpi”. Mendoj se kjo për mua, në nivel personal, përveç nivelit profesional, është se lidhja e rëndësishme që ndiej me shqiptarët dhe vendin po merr vërtetë formë konkrete. Shqipëria është pjesë e jetës sime, do të jetë pjesë e jetës sime dhe gjithmonë i falënderoj shqiptarët për vëmendjen dhe ngrohtësinë që kanë treguar për mua gjatë këtyre dy mandateve.

Siç e përmendët kjo është intervista ime e fundit, në fakt orët e fundit në Tiranë. Po i rikthehem punës sime në Bruksel, si i Dërguar i Posaçëm i BE-së për Migracionin. Këtu, është emëruar një ambasador i ri dhe me shumë gjasa do të mbërrijë në Shqipëri në dhjetor.

Zëri i Amerikës: Ambasador, shumë faleminderit!

Ambasadori Soreca: Jeni i mirëpritur, shumë faleminderit dhe mirupafshim.