Prokuroria Speciale e Kosovës ka kryer aksione në disa lokacione në komunat veriore të Kosovës, ku janë arrestuar nëntë zyrtarë të Doganës dhe një polic.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
Bastisja nga policia është duke u kryer me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, dhe ka të bëjë për disa zyrtarë të doganës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, aksioni është duke u zhvilluar në komunat në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe.
“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar një aksion për veprat penale kundër korrupsionit, marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet kryejnë aksion në Doganat e Kosovës për të luftuar veprat penale që lidhen me marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.
Në mars të vitit 2022, ishin arrestuar dhjetëra policë dhe doganierë nën dyshimet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Aksioni atëbotë ishte kryer në Gjakovë dhe Prizren dhe zyrtarët e arrestuar ishin dyshuar për pjesëmarrje në qindra aktivitete të marrjes së ryshfetit në pikat kufitare të Qafë Prushit dhe Qafë Morinës, që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë.
Ndryshe, në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – autoritetet viteve të fundit kanë mbyllur disa rrugë ilegale që janë përdorur për të kontrabanuar mallra nga Serbia.