Shqipëria rishkruajti historinë, teksa garantoj pjesëmarrjen për herë të dytë në pak vite në Kampionatin Europian të futbollit. Performancë fantastike e kuqezinjtë në 7 takimet e grupit E, duke mos toleruar aspak edhe ndaj kundërshtarëve ‘BIG’ në emër, si Polonia dhe Republika Çeke. Sukses i futbollistëve, por padyshim merita ka edhe Sylvinho.
Trajneri brazilian dhe stafi i tij kanë ndërtuar një prej skuadrave më të forta në historinë e kombëtares shqiptare. 40 futbollistë të thirrur në harkun e 9 muajve nga Sylvinho, duke krijuar një skuadër solide dhe pretendente për një mrekulli në Euro2024. Periudhë në të cilën braziliani na dhuroi edhe dy zbulime, Jasir Asani dhe Mario Mitaj, të cilët veshën për herë të parë fanellën kuqezi dhe u shndërrua në lider të padiskutueshëm.
Vetëm një i grumbulluar nga Superliga shqiptare, Andi Hadroj, për të treguar se baza e kombëtares shqiptare mbetet përtej kufinjve. Shumë alternativa në dispozicion të brazilianit, por që në fund, fusha i dha të drejtë. Nën drejtimin e 49-vjeçarit, Shqipëria vendosi edhe rekordin e pikëve të grumbulluara në një kualifikuese të Kompeticioneve ndërkombëtare, 14 deri më tani, por që mund të thellohet në ndeshjen e radhës. Ecuri që përligjet nga rezultatet në fushë. 12 gola të shënuar në 7 takime, mesatarisht 1.7 realizime në çdo 90 minutësh.
Ndërkaq, ndryshe nga vitet e shkuara, kuqezinjtë kanë përmirësuar repartin e mbrojtjes. Vetëm 4 gola të pësuar, ku na kanë shënuar të gjithë kundërshtarët. Gjithsesi, kombëtarja jonë është mes mbrojtjeve më të mira deri më tani në këto kualifikuese, duke bërë më keq vetëm nga ajo e Anglisë, Francës dhe Portugalisë.