MENU
klinika

Nxirret për konsultim publik

Gati formula e re e ndihmës ekonomike

19.11.2023 - 19:36

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale ka hartuar dhe nxjerrë për konsultim publik strategjinë kombëtare 2024-2030, që adreson një sërë problematikash të deri tanishme, duke dhënë edhe zgjidhjet përkatëse.

Ndër të tjera parashikohet kalimi në një fazë të re të programit të ndihmës ekonomike. Dokumenti thekson se, vlerësimet tregojnë që formula e pikëzimit nuk i përgjigjet sa duhet kontekstit ekonomik dhe social aktual duke u paraqitur e vjetëruar për sa i përket kritereve të kualifikueshmërisë të parashikuara në të.

Përdorimi i formulës së pikëzimit ka prodhuar një rezultat të rendësishëm lidhur me zvogëlimin e përfitimit të padrejtë të ndihmës ekonomike, ndërsa administratorët shoqërorë konfirmojnë se ajo ka funksionuar mirë për zonat urbane, por është evidentuar që ekziston mundësia e përjashtimit të familjeve të varfëra, veçanërisht në zona rurale, familje me një person dhe ato që kanë në përbërje të tyre anëtarë të grupmoshës 50-55 vjeç që hasin vështirësi për t’u punësuar.

Sipas hartuesve të këtij dokumenti, moszbulimi i formës së qartë të formulës së pikëzimit krijon probleme për transparencën, si dhe ndikon që vlerësimi i efektshmërisë së formulës së pikëzimit të jetë i cunguar në aspektin e shënjestrimit. Gjykohet që pas pesë vitesh aplikim, formula e pikëzimit nuk është plotësisht e panjohur për administratorët shoqërorë dhe ekziston mundësia për ndikim subjektiv tek aplikantët për të deklaruar kushte që i bëjnë ata fitues.

Përqendrimi rajonal i varfërisë në zona ku pushteti lokal ka mungesë të hapësirave fiskale për mbështetje me fonde të veta, si dhe mundësi të ulta punësimi dhe shërbimesh kërkojnë një sistem të diferencuar mbështetjeje mbështetur në kontekstin lokal.

Ndërkaq, konstatohet se, masa e pagesës së ndihmës, ndonëse ka pësuar rritje të vijueshme përgjatë dekadës së fundit përfshirë dhe rritjet e bëra në kuadrin e masave për të përballuar efektet negative të pandemisë, apo për mbështetjen e grupeve të caktuara me një shkallë vulnerabiliteti të rritur si nënat me shumë fëmijë apo viktimat e dhunës në familje, është ende e ulët. Megjithatë, pagesa e ndihmës ekonomike rezulton ende e ulët në raport me kufirin e të ardhurave në rrezik varfërie apo me pagën minimale.

Ndikimi i programit të ndihmës ekonomike në reduktimin e rrezikut nga varfëria është i kufizuar, ndërsa të dhënat provojnë që individët e papunë, familjet me shumë fëmijë në ngarkim dhe familjet me në krye gra ekonomikisht joaktive, për shkak edhe të angazhimit të tyre në punë të papaguar në familje janë më të rrezikuar për të renë në varfëri.