MENU
klinika

Droga kishte destinacion Francën

Zbardhet itenerari i kokainës që u kap në Mal të Zi

20.11.2023 - 15:33

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me kokainën e kapur në Mal të Zi më 16 nëntor, teksa është zbuluar edhe itenerari i plotë i lëndës narkotike në 18 pako të ndryshme.

Burime të besueshme pranë Policisë së Shtetit konfirmojnë se droga fillimisht ka qenë brenda territorit të vendit tonë, ndryshe nga sa është raportuar e anasjellta në fillim.

Makina tip “BMW” e shkodranit Arvid Halili, i arrestuar nga policia e Malit të Zi, ka mundur të kaloj në pikën kufitare të Muriqanit, dhe destinacion final kishte kryeqytetin e Francës, Parisin, dhe vlera në tregun atje do të shkonte në rreth 2.2 milionë euro.

Autoritetet malazeze mësohet se kanë pasur informacion për praninë e lëndës narkotike dhe e kanë mbajtur në vëzhgim të riun shkodran përgjatë udhëtimit të tij në tokën e shtetit fqinj drejt pikës kufitare të Debeli Brijeg me Kroacinë.

Dyshimet e hetuesve janë se kjo sasi kokainë ka mbërritur në vendin tonë përmes portit të Vlorës ose Durrësit, me origjinë nga vendet e Amerikës Latine. Arvid Halili rezulton korrier i një prej klaneve shqiptar të transportimit të drogës, por nuk përjashtohet mundësia që këtë herë të ketë qenë i vetëm, edhe pse para hetuesve malazez nuk ka dhënë detaje.