22.11.2023 - 12:19
Një pyetje që është shumë e shpeshtë në ditët e sotme, të një jete aktive dhe të lidhur shumë me qarkullimin me makinë është: A duhet të drejtojë makinën gruaja shtatzënë?
Sigurisht që po. Gratë shtatzëna mund të drejtojnë makinën për sa kohë shtatzënia ka ecuri të mirë dhe përqendrimi të jetë i plotë.
Në tremujorin e parë të shtatzënisë, kur të përzjerat, të vjellat, lodhja e përgjumja janë simptoma që hasen shpesh, është mirë që të reduktohet drejtimi i makinës, sidomos në distanca të gjata. Gjithashtu, në javët e fundit të shtazënisë është mirë të shmanget drejtimi i automjetit për shkak të vështirësisë në lëvizje.
Distancat dhe kohëzgjatja e drejtimit të automjetit nuk duhet të kalojnë 2-3 orë dhe pas kësaj preferohet që të pushohet minimum 2-3 orë. Por edhe gjatë drejtimit të mjetit janë të këshillueshme pushime të shpeshta për të lëvizur.
Disa hapa përreth makinës, si edhe ushtrime të lehta janë rekomandim i rëndësishëm për gratë shtatzëna në udhëtime të gjata. Kjo është e vlefshme edhe në rastet ku shofer është dikush tjetër. Qarkullimi i gjakut në gjymtyrët e poshtme vështirësohet gjatë qëndrimit në sediljen e makinës, prandaj dy-tre hapa përreth makinës kanë realisht shumë benefite.
Përsa i përket rripit të sigurimit është gjithmonë e nevojshme të vendoset, pa marrë parasysh nëse qarkullimi është nëpër qytet apo udhëtim për rrugë më të gjatë.
Patjetër vendoset rripi i sigurimit gjatë qëndrimit në makinë të gruas shtatzënë si në sediljen e shoferit, edhe në statusin e pasagjerit.
Nuk është e vërtetë që rripi i sigurimit e rrezikon fëmijën në bark. Në fakt një problem shumë i rëndësishëm në aksidente automobilistike është përplasja e barkut me timonin ose pjesën e përparme të makinës për shkak të inercisë.