Profesori britanik nga Westminster University, Aidan Hehir dhe politikani socialdemokrat Nenad Çanak e shohin Serbinë si kërcënim për paqen e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Për shkak të situatës se ndjeshme në Ballkan, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake në Bosnje dhe Kosovë.
Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm nga komuniteti ndërkombëtar që Kosova dhe Serbia t’i zbusin tensionet, kjo e fundit nuk e ka zbutur retorikën luftë nxitëse.
Vetëm një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, polemizuan për ushtrinë.
Shefi i NATO-s kërkoi që mos ketë grumbullim të forcave ushtarake serbe pranë kufirit Kosovën, por i ky i fundit tha se kjo çështje i takon vetëm Serbisë se ku e pozicionojnë ushtrinë.
Për këtë profesori britanik, Aidan Hehir, ka treguar arsyet se pse Vuçiç po vepron në këtë mënyrë.
“Zgjedhjet po afrohen ne Serbi dhe Vuçiç tani dëshiron të tregoj se sa i fortë është ai para serbëve. Vuçiç, gjithashtu e përdor Kosovën për ta larguar vëmendjen nga problemet e brendshme që ka Serbia. Por në të vërtetë ai nuk është edhe aq i fuqishëm sa e paraqet veten sepse kur NATO i ka bërë presion që t’i largojë trupa nga kufiri, ai është tërhequr. Megjithatë konsideroj se duhet pasur kujdes sepse e pamë çfarë ndodhi në Banjska. Kësaj radhe Serbia nuk do të duhej të shpëtonte pa u ndëshkuar për sulmin në Banjska sepse gjëra të tilla mund të ndodhin sërish në të ardhmen nëse nuk ka ndëshkim. Imagjinoni tani se çfarë reagimi do të kishte nëse shqiptarët do të përfshiheshin në ndonjë sulm të tillë ndaj serbëve, Kosova do të ndëshkohej direkt”, ka thënë Hehir.
Ndërsa politikani serb Nenad Çanak, thotë se Vuçiç i dërgoi një mesazh të keq Perëndimit dhe se situata e sigurisë vazhdon të jetë e brishtë.
“Moska mund të destabilizojë relativisht lehtë rajonin në dy pika nevralgjike: në kufirin Serbi-Kosovë dhe në vijën e entitetit midis Bosnje Hercegovinës dhe Republikës Serbe. Mjafton të dërgohen nja dy duzina mercenarë për të provokuar një incident në njërën nga këto dy pika dhe për të vënë në pikëpyetje gjithë paqen në Ballkan dhe për të larguar edhe më shumë vëmendjen nga agresioni rus në Ukrainë. Në rrethana të tilla, akumulimi i trupave të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën është një mesazh i keq për Perëndimin i dërguar nga Beogradi, por ai i siguron Vuçiçit një marrëdhënie relativisht të mirë me Putinin, gjë që i është shumë e nevojshme në fushatën zgjedhore. duke pasur parasysh popullaritetin e madh të Putinit në Serbi”, thotë Çanak.
Për shkak të situatës se ndjeshme të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake të përhershme që përfshin Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën.