Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike. Vihet në pranga një 52-vjeçar që shiste doza kanabisi, në zona të ndryshme në qytet. Sekuestrohen rreth 500 doza kanabisi që iu gjetën këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë.
Sekuestrohet edhe një armë gjahu që ky shtetas e mbante pa leje, në banesë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike në qytet, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Në lagjen “4 Heronjtë”, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin S. H., 52 vjeç, banues në Vlorë, të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, janë gjetur një tjetër sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në doza dhe një armë gjahu që ky shtetas e mbante pa leje.
Lënda narkotike, së bashku me armën e gjahut, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.