Në teatrin “Migjeni” në Shkodër u zhvilluan sot homazhet në nderim të aktorit “Mjeshtri i madh”, Zef Deda, i cili u nda dje nga jeta në moshën 73-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
Në homazhe ishin të pranishëm miq, të afërm, familjarë, aktorë të njohur të humorit shkodran , por jo vetëm, qytetarë etj, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit aktorit të njohur të humorit.
Pas homazheve të kryera në nderim të Zef Dedës, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se “është një humbje e madhe.Ne sot përcjellim me një respekt të jashtëzakonshëm, gjithë qyteti, por besoj gjithë kombi shqiptar, një figurë shumë dimensionale artistike. Me Zefin jemi rritur një brez i tërë, në festa e gëzime, por edhe në ditë të vështira na ka dhënë nga një buzeqëshje. Ai do mbahet mend për shumë role, do mbahet mend si Chaplini shqiptar”.
Aktori i njohur i humorit Sejfulla Myftari, tha për mediet se “është humbje shumë e madhe për humorin shqiptar. Shkodrës nuk i vjen më një si Zef Deda”.
Aktori i humorit Edmond Halili theksoi se “unë e kam thënë edhe herë të tjera, ‘ka vdekur humori shqiptar’ për mua. Zef Deda ka qenë një mrekulli e humorit shqiptar. Është një humbje e madhe për qytetin e Shkodrës nuk diskutohet, por edhe për mbarë Shqipërinë, sepse Zef Deda nuk bën më nëna. Janë të rrallë aktorët si Zef Deda”.
Ndërsa aktori Agron Llakaj tha se “Zef Deda me artin e tij ka lënë të qeshura mbrapa, dashurinë, publikun që e ka dashur dhe e ka mbështetur gjatë gjithë kohës. Duhet që institucionet t’u rikthehen brezit të ri e të tregojnë se kush ka qenë arti i vërtetë e çdo të thotë artist humori. Trupa profesioniste e humorit shqiptar sot më shumë është në qiell se në tokë. Aty i bashkohet edhe Zef Deda, ndryshe i quajtur Çaplini shqiptar. Dhimbja nuk është vetëm për publikun e Shkodrës, por për këdo që ka ndjekur artin e Zefit është një dhimbje e madhe”.
Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikati që në moshë të vogël. Një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, humoristi Zef Deda është cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.
Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai realizoi qindra figura artistike. Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit.
I paharruar do mbetet në kujtesën e shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve për humorin, batutat dhe karakteret që solli me mjeshtri.