Gjatë gjithë natës ekipet e Rojeve Bregdetare do të vazhdojnë kërkimet së bashku me ndihmën e mjeteve lundruese për gjetjen e 12 anëtarëve të anijes së mallrave “Raptor” që u fundos në brigjet e Lesvos. Ndonëse kushtet e motit nuk janë të favorshme autoritetet kanë thënë se nuk do të tërhiqen.
Nga operacioni gjigant i kërkim-shpëtimit të kryer prej mëngjesit të së dielës, kur anija lëshoi sinjalin, është gjetur i gjallë një marinar egjiptian dhe gjithashtu trupi i pajetë i një person, që më pas u transportuan në portin e Mytilene.
Gjithsej 14 anëtarë të ekuipazhit (një indian, njëmbëdhjetë egjiptianë dhe dy sirianë) ishin në bordin e Raptor, i cili u mbyt në rrethana ende të paqarta, ndërsa anija po transportonte kripë nga Egjipti me destinacion Stambollin.
Inxhinieri egjiptian që u shpëtua, ka thënë për autoritete se dyshon për defekt mekanik, kjo ishte edhe arsyeja që e bëri të aktivizonte sinjalin e alarmit.
Gjithashtu ai tregoi se anija po fillonte të merrte ujë dhe ishin përpjekur me kova për ta hequr.
“Anija po merrte që nga nata e të shtunës, u përpoqëm me kova dhe mjete të tjera që kishim në bord për ta hequr. Por kur filloi të lëkundej në mënyrë të rrezikshme atëherë u hodha në det, pashë edhe pesë persona të tjerë të hidheshin në ujë dhe më pas nuk pashë më njeri”, tha ai. Shtetasi egjiptian u vu re nga autoritetet teksa po kërkonin me helikopter dhe u shpëtua.