MENU
klinika

Ja çfarë ka ndodhur

Një intervistë kris raportet Londër-Athinë, Sunak anulon takimin me Mitsotakis

27.11.2023 - 22:28

Intervista e Kyriakos Mitsotakis me BBC gjatë vizitës së tij në Britani, në lidhje me Skulpturat e Partenonit në sfond duket se zemëroi publikun britanik. Pas deklaratave të tij, kryeministri britanik Rishi Sunak anuloi takimin e planifikuar me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis në Londër nesër.

Mitsotakis deklaroi se statujat e Partenonit duhet të kthehen në Greqi pasi janë të vjedhura.

“Skulpturat e Partenonit do të dukeshin më mirë në Muzeun e Akropolit. Nuk është çështje kthimi, Skulpturat janë të Greqisë dhe janë vjedhur. Për ne është çështje ribashkimi, ku mund t’i admironi më së miri këto monumente të rëndësishme në vendin ku ato i përkasin. Nëse e prisnim gjysmën e Mona Lizës dhe gjysma do të ishte në Luvër, çfarë do të ndodhte?”, u shpreh kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Ky është incidenti më i rëndë i ndodhur gjatë viteve të fundit për një kryeministër grek në detyrë. Dy ditë më parë edhe Gjermania ka kritikuar Greqinë lidhur me presionin e ushtruar nga Athina mbi Tiranën zyrtare për shkak të çështjes Beleri.

Sunak dhe Mitsotakis do të takoheshin paraditen e së martës në Londër. Kryeministri grek shprehu keqardhjen e tij lidhur me anulimin e takimit, por nuk u tërhoq nga qëndrimi lidhur kthimin në Greqi të statujave të partenonit.