Devijimi nga projektet e miratuara në ndërtim ka nxjerrë në pah nevojën për forcimin të legjislacionit në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban si dhe në atë të displinimit të punimeve.
Për këtë qëllim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar dhe ka hedhur për konsultim publik amendamentet në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe atë për “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.
Sa i përket ligjit të parë përmes ndryshimeve të paraqitura krijohet Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, një organ në nivel qendror, kompetencat e të cilit do të përfshijnë krahas fushës së planifikimit dhe zhvillimit urban, edhe atë të menaxhimit të burimeve ujore.
Ky organ parshikohet gjithashtu të ndajë kompetencat me bashkitë dhe Këshillin Kombëtar të Territorit në shqyrtimin e aplikimeve dhe miratimit të kërkesave të subjekteve të ndryshme për leje ndërtimi.
Në projektligj propozohet vendosja e procedurës së përshpejtuar për shqyrtimit të aplikimeve për leje ndërtimi, kur kemi të bëjmë me investime strategjike apo zhvillime komplekse brenda brezit bregdetar.
Ndryshimet në ligjin e dytë synojnë të rrisin kontrollin gjatë zbatimit të projekteve në ndërtim.
Sipas relacionit shoqërues, Sekretariati Kombëtar i Territorit dhe Ujit që do të funksionojë pranë Këshillit, do të përfshihet mes autoriteteve përgjegjëse për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe do të njoftohet për nisjen e punimeve, në mënyrë që të kryejë monitorimet e tyre.