Gjermania po koordinon bashkëpunimin me Slloveninë në fushën e sigurisë, reformave të brendshme dhe zgjerimit të Bashkimit të Evropian. Këtë e bëri të ditur ministrja gjermane e punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, para nisjes së saj për në Lubjanë, të hënën në mbrëmje, 4.12.2023.
“Në një botë në të cilën krizat dhe konfliktet po afrohen në fqinjësinë e afërt të Evropës, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian që do të veprojë shpejt dhe me vendosmëri”, tha ajo. “Gjermania dhe Sllovenia janë të bashkuar në synimin për të forcuar Evropën tonë të përbashkët, duke e bërë atë të përshtatshme për të ardhmen dhe duke përfshirë në mesin tonë vendet e Ballkanit Perëndimor. Për ne, një Bashkimi Evropian i fortë, si NATO, është një politikë e pazëvendësueshme e sigurimit të jetës në kohë të pasigurta”, tha shefja e diplomacisë gjermane.Politikania e gjelbër u shpreh më tej se “Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin plotësisht Bashkimit Evropian. Kjo nuk është një frazë boshe, por për interesat tona të sigurisë – në Lubjanë, në Berlin dhe në mbarë Evropën. Kjo kërkon reformat e nevojshme në vendet që duan të bëhen pjesë e familjes evropiane. Por BE-ja duhet ta mbajë fjalën dhe të ndërmarrë hapat e ardhshëm në procesin e zgjerimit kur të plotësohen kushtet”.
Baerbock shtoi: “Duke pasur parasysh imperializmin rus, BE-ja nuk mund të përballojë asnjë zonë gri në mes të Evropës. Së bashku me Slloveninë, ne po punojmë në reformat në BE për të vendosur rrugën për një Union të zgjeruar. Progresi në politikën e zgjerimit dhe reformat e brendshme të BE-së duhet të ecin paralelisht.”
Baerbock i siguroi Sllovenisë mbështetje të plotë gjatë periudhës dyvjeçare si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këtë detyrë Sllovenia e merr në 1 janar 2024./DW