Ish-zëvendës kryetari i bashkisë së Kukësit, Granit Gjana është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për seancën e masës së sigurisë ndaj tij.
Ditën e djeshme (6 dhjetor) u bë publik vendimi i GJKKO për pezullimin e Granit Gjanës nga detyra si prefekt i Kukësit nën akuzën se gjatë kohës që ka mbajtur postin e zëvendës kryetarit, ka kryer shkelje me tenderat e karburantit të bashkisë me vlerë 21 milionë lekë, duke mos lejuar një kompani të marrë pjesë në garë.
Sipas SPAK, Granit Gjana me mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “Ufo Cengu” sh.p.k, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar kompaninë të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21 milionë lekë të organizuara nga Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. SPAK thotë se si pasojë e këtyre veprimeve janë dëmtuar interesat e ligjshëm të kompanisë “Ufo Cengu” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit për blerjen e karburantit.
Pasi u vu në dijeni të vendimit të GJKKO, mësohet se Granit Gjana ka dhënë dorëheqjen nga posti i prefektit mbrëmjen e 5 dhjetorit.