Janë zbardhur detaje të reja nga atentati me armë zjarri që ndodhi paraditen e sotme në Fier, ku mbeti i vrarë një 41-vjeçar.
Burime për mediat bëjnë me dije, se viktimë e kësaj ngjarjeje mbeti Elton Javori. Ai dyshohet se u ekzekutua me një plumb pistolete, për shkaqe dhe në rrethana momentalisht të panjohura.
Mësohet se autor i krimit është shtetasi Agim Gashi, ndërsa policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “16 Prilli”, rreth 100 metra nga shtëpia e tij.
Dyshimet paraprake të grupit hetimor janë se vrasja Elton Javorit në Fier ka ndodhur për motive të dobëta. Sipas burimeve një nga pistat është një krushqi e prishur.
Teksa nuk ka ende shumë detaje për këtë vrasje, nga dëshmitë e banorëve të zonës mësohet se 41-vjeçari nuk njihej si problematik në zonë e as nuk rezulton me precedentë penalë.
Sipas banorëve, Javori u qëllua sapo zbriti nga makina. Ai mësohet se kishte rreth 3 muaj që ishte kthyer nga Gjermania.
Ndërkohë, në njoftimin e saj për mediat, policia tha se e ka identifikuar autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe aktualisht po punon për kapjen e tij.