MENU
klinika

Ekspertët ngrenë alarmin

Pse në bursat ndërkombëtare është ulur vlera arit të zi?

07.12.2023 - 17:37

Nuk kanë fund abuzimet me vjedhjen ndaj shqiptarëve sa i takon çmimeve të karburanteve. Shqipëria ka çmimet e karburanteve më të shtrenjta se vendet e rajonit dhe atyre në botë, edhe pse çmimi i naftës është ulur në tregjet ndërkombëtare rreth 20% përgjatë 2 muajve të fundit. Më konkretisht në fillim të kësaj jave nafta Brent tregtohej në kufirin e 78 dollarëve për fuçi, duke rënë me afro 18% krahasuar me çmimin për fuçi në muajin shtator, i cili ishte 96.55 dollarë. Konkretisht, ditën e hënë, gazoili në bursën e Londrës tregtohej me çmimin e afro 793 USD për ton, vlerë kjo ndjeshëm më e ulët se niveli i dy muajve më parë, i cili ishte pothuajse 1000 USD/ton. Ndërsa çmimet me pakicë në Europë dhe tregjet ndërkombëtare kanë ndjekur trendin e bursës, duket se në Shqipëri po ndodh e kundërta, ku çmimi me pakicë në pikat shitëse të karburantit në Shqipëri, vijon të mbetet i pandryshuara dhe shumë pranë nivelit të 200 lekëve për litër. As forcimi i lekut kundër dollarit të ditëve të fundit nuk ka sjellë uljen e çmimeve. Në fillim të kësaj jave dollari amerikan këmbehej më 93.6 lekë, duke rënë 7% nga vlere e fillimit të nëntorit. Tregu i karburantëve ka një varësi të lartë nga importet. Shifrat e analizuara nga Autoriteti Konkurrencës tregojnë se tre kompani në vend zotërojnë 75% të tregut të naftës me shumicë. Ndërkohë nga një studim i Global Petrol Prices, Shqipëria renditet e 5-ta në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës, ku një litër naftë kushton 197 lekë, 73 lekë më shtrenjtë sesa çmimi mesatar në rang botëror.

Kush po abuzon në “kurriz” të qytetarëve?

Por teksa në Shqipëri çmimi i naftës mbetet i pandryshuar dhe për këtë arsye, ekspertët ngrenë dyshime, që në vendin tonë, tregtarët operojnë si kartel. “Që në momentin që hoqi dorë bordi i transparencës u bë një përqendrim apo kompani të tregtimit në shumicë dhe në pakicë të naftës po formohet një formë karteli dhe kjo është më se evidente. Diferenca në çmime nga një kompani në tjetrën janë zhdukur pothuajse fare”, deklaroi eksperti i ekonomisë, Klodian Muço. Po ashtu, Muço theksoi distributorët e naftës në Shqipëri paracaktojnë çmimet, duke dëmtuar kështu konkurrencën e lirë në treg. “Në qoftë se ne në të kaluarën diferenca nga 1 lekë deri në 10 lekë nga një distributor te tjetri sot këto diferenca nuk ekzistojnë më. Abuzojnë tregtarët qoftë ata të shumicës si dhe të pakicës”, u shpreh ai. Kujtojmë se Autoriteti i konkurrencës në një studim të industrisë në 2022 evidentoj gati asnjë parregullsi në zinxhirin e distribucionit të naftës, ndërkohë që ky sektor sipas ekspertëve zotërohet gati 75% nga tre kompani të mëdha në vend. Ndërkohë ekspertët apelojnë për një monitorim të shtuar. “Autoriteti i konkurrencës duhet ta monitoroj këtë fenomen. Si ka mundësi që çmimet në tregjet ndërkombëtare po bien, dollari është zhvlerësuar në raport me monedhën tonë vendase dhe çmimet në treg mbeten pothuajse të njëjta. Kur kemi tendencë rënëse çmimet në tregun shqiptar reagojnë shumë me vonesë, ndërsa kur ato rriten çmimet në vend reagojnë pothuajse menjëherë”, nënvizoi Klodian Muço.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mbetemi në listën e 20 vendeve më të shtrenjta!

Çmimi i naftës ulet ndjeshëm në bursë, po në Shqipëri?