Këtë vit shqiptarët duket se po blëjnë më pak lodra për fëmijët. Gjatë Nëntorit të këtij viti janë importuar rreth 52 milionë lekë lodra më pak se e njëjta periudhë e një vitit më pare, tregojnë të dhënat zyrtare të Instat.
Të dhënat flasin për 1.9 miliardë lekë importe në 11 muajt e këtij viti, në rënie me 8.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Do të jetë shumë e vështirë që Dhjetori të përmbysë këtë rënie.
Shqipëria importon rreth 2.4 miliardë lekë lodra në vit, çka përkthehet në rreth 20 milionë euro, referuar të dhënave të vitit 2017.
Sa i përket vendeve të origjinës së lodrave, të dhënat tregojnë se 62% e tyre vijnë nga Kina. Gjatë 2018-ës, pesha e Kinës në këtë treg është rritur ndjeshëm. Në vend të dytë, ndjek Italia, me 330 milionë lekë importe, ose 14% të tregut, dhe në vend të tretë Turqia me 6.25% të tregut.
Vendet e tjera ndërkohë kanë vlera shumë të vogla. E ndërkohë që Kina ka rritur ndjeshëm peshën e saj në tregun vendas gjatë vitit të fundit, Italia ka rënë ndjeshëm tregojnë të dhënat.