Sot janë bërë 91 vite nga lindja e Robert Shvarc.
Robert Shvarc (Sarajevë, 10 dhjetor 1932 – Tiranë, 25 prill 2003) ka qenë përkthyes shqiptar me prejardhje hebree, që u shqua me përkthime e letërsisë nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Njihet për punën e bërë me shqipërimin e letërsisë gjermane dhe “Eksodin” e Leon Uris.
Ishte i biri i Julius Shvarc dhe Saveta Çipit. I ati ishte po ashtu i lerë në Sarajevë me profesion teknik elektrik, i gjyshi Siegfried ishte nga Vjena, ndërsa e ëma vinte prej një familjeje elbasanllie me profesion rrobaqepëse. Familja e tyre u zhvendosën në Shqipëri më 1925 duke u vendosur fillimisht në Shkodër.
Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Ndërroi jetë më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.
Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.
Emri i Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit.
Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.
Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e Toledos, Françesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj.