MENU
klinika

GJKKO refuzoi kërkesën e tij për t’u betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës

Mediat greke jehonë vendimit për Belerin: Gjykim i politizuar

11.12.2023 - 20:40

Mediat greke i kanë kushtuar sërish vëmendje çështjes së Fredi Belerit, pasi GJKKO refuzoi kërkesën e tij për t’u betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës.

“Protothema” sulmon qeverinë shqiptare duke raportuar se kanë ndërhyrë në vendimin e gjykatës.

“Kërkesa e Fredi Beleri për t’u betuar si kryebashkiak i Heimarrës u refuzua. Gjykata e Tiranës vendosi në mënyrë të veçantë se nuk do t’i japë leje për betim kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, duke i dhënë të drejtën e ankimimit të vendimit brenda 15 ditëve. Kryeministri shqiptar u shfaq në një intervistë pak ditë më parë, i palëkundur dhe tha se çështja Beleri ka të bëjë ekskluzivisht me drejtësinë dhe as ai dhe qeveria e tij nuk kanë qenë të përfshirë dhe as do të jenë të përfshirë”, shkruan protothema.

“Protothema” raporton një pjesë të deklaratës së Fredi Belerit ku akuzon qeverinë se ka ndërhyrë në vendimin e GJKKO. “Edi Rama dhe rrethi i tij banalizojnë procesin dhe avancojnë vendimet e Gjykatë”, tha Beleri.

Më tej media greke transmeton një intervistë të kryeministrit Edi Rama në televizionin A2CNN ku ai tha se Greqia nuk ka të drejtë në çështjen e Belerit dhe se i përket drejtësisë të japë gjykimin e saj.

“Shqipëria është një shtet që nuk ka drejtësi tjetër për qytetarët me shtetësi shqiptare dhe drejtësi tjetër për shqiptarët me shtetësi të tjera. Nuk është një çështje e të drejtave të pakicave. Ne nuk kemi problem me pakicat. Ne kemi bërë për minoritetet atë që nuk e kanë bërë shumë vende të tjera evropiane. Ne nuk kemi fuqi të vendosim nëse do të bëhet apo jo betimi dhe as Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ligji e përcakton qartë se kur bëhet. Edhe nëse Këshilli Europian kthehet përmbys, ne nuk po negociojmë asgjë përtej interesit strategjik të Shqipërisë, që është zbatimi i reformës në Drejtësi dhe sigurimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë”, kështu e raporton media greke intervistën e kryeministrit Edi Rama.

Seanca e sotme e GJKKO ishte “pushtuar” nga minoritarë greke, ambasadorja greke, militantët e PBDNJ dhe një numër i madh gazetarësh grekë. Madje, mediat greke e kanë transmetuar LIVE momentin kur u lajmërua vendimi i gjykatës, teksa gazetarët grekë raportonin me kërshëri. Përfaqësuesit e minoritetit grek që protestonin para gjykatës nxorën dhe një pankartë, duke mos lejuar mediat shqiptare të raportonin, por vetëm ato greke.

Ndërkohë në sallën e gjyqit kur u mor vendimi ata kanë shpërthyer në thirrje: “Turp”, Turp”, “Poshtë diktatura”. /Protothema