Kryeministri Edi Rama shprehu dje pakënaqësinë ndaj shumicës së deputetëve të Partisë Socialiste në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.
Burime brenda takimit të deputetëve bëjnë me dije se Rama ka artikuluar “zgjedhjet e parakohshme”. Mësohet se kreu i mazhorancës u ka kërkuar deputetëve angazhim më të madh. Ai ka shprehur pakënaqësi ndaj shumicës së deputetëve socialistë për angazhimin e tyre në komisione parlamentare dhe seancat plenare.
Në fjalën e tij, Rama u tha deputetëve socialistë se mund të shkojnë edhe në zgjedhje të parakohshme, në rast se kjo situatë vijon si e tillë. Në mbledhjen që u mendua se do të diskutohej edhe për Arben Ahmetajn për të marrë vendim për përjashtim nga grupi i PS-së, i cili është i shpallur në kërkim nga SPAK, socialistët nuk dolën me një vendimmarrje. Sa i përket qasjes ndaj sjelljes së opozitës, nuk do të ketë asnjë ndryshim nga ana e mazhorancës socialiste dhe kjo e fundit do të mbajë të njëjtin qëndrim.
Porosia e Ramës ka qenë që Partia Socialiste të vijojë njësoj me qasjen ndaj opozitës dhe fokusi të jetë te çështjet e tjera.
Ndërkohë, është diskutuar edhe ndryshimi i rregullores për përjashtimin e deputetëve. Kështu, në seancën parlamentare të 14 dhjetorit pritet që të votohet ndryshimi i rregullores për përjashtimin deri në 60 ditë të deputetëve, nga 10 ditë që është aktualisht afati maksimal. Në të njëjtën seancë të 14 dhjetorit është parashikuar gjithashtu që të kalojë për votim edhe marrëveshja me Italinë për emigrantët.
Ky projektligj ishte menduar të votohej nga Kuvendi javën e ardhshme, por socialistët e kanë afruar për këtë të enjte. Mbetet për t’u parë nëse marrëveshja për emigrantët me Italinë do të arrijë të marrë votat e nevojshme nga ligjvënësit, teksa opozita e ka dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, foli në Komisionin e Politikës së Jashtme për sa u përket marrëveshjes ShqipëriItali për pritjen e emigrantëve.
Gjatë fjalës së tij, Balla është shprehur se Shqipëria arrin të mbulojë vetëm 4% të sfidës që ka Italia në procesin e pritjes së shqyrtimit të kërkesës për azil nga ana e emigrantëve. Balla shtoi se këtë marrëveshje, Shqipëria mund ta bënte vetëm me Italinë për shkak të një borxhi historik, por edhe për shkak të marrëdhënieve mes 2 vendeve.
“Dua të informoj Komisionin e Politikës së Jashtme që në aspektin që mbulon komisioni juaj. Kjo është një marrëveshje tepër e rëndësishme, që forcon më tej bashkëpunimin e shkëlqyer mes Italisë dhe Shqipërisë. Shqipëria dëshmon se është e gatshme të marrë përgjegjësitë, duke ju rikujtuar që kjo nuk e nxjerr përfundimisht problematikën që ka Italia sot me këtë sfidë. Mund t’ju them se në qendrat e pritjes në Itali aktualisht janë të akomoduar mbi 80 mijë qytetarë që vijnë nga vendet tjera. Fakti që vetëm 3 mijë mund të trajtohen, procesi i pritjes së shqyrtimit të kërkesës për azil do të bëhet në Shqipëri, tregon se diku 4 për qind e kësaj sfide aktuale do të trajtohet nga Shqipëria. Këtu merr përgjigja gjithë tymnaja e ngritur më kot ndaj kësaj marrëveshjeje. U bëj thirrje anëtarëve të komisionit që në këtë frymë dhe në këtë marrëveshje speciale mes Shqipërisë dhe Italisë të mos harrojnë asnjëherë momentet e vështira kur shqiptarët zbritën me mijëra në brigjet e Barit dhe Brindisit. Një marrëveshje të tillë, Shqipëria mund të firmoste vetëm me Italinë për shkak të një borxhi, por edhe për marrëdhëniet që kemi mes 2 vendeve tona”, – deklaroi Balla.