Ilir Meta dyshohet se do të arrestohet për çështje ditësh për dosjen e lobimit në SHBA, ku SPAK në bashkëpunim me amerikanët kanë gjetur provat për shpenzimet gjatë viteve 2016-2017, me para që nuk janë deklaruar në organet përkatëse në Shqipëri. Kërcitja e prangave ndihet tek Meta. Ai ka braktisur në aksionin e tij Berishën, si edhe nuk ka dalë në asnjë emision televiziv. Madje ka bërë vetëm disa deklarata të shkurtra në rrjetet sociale. Kërkesa për arrestimin e Ilir Metës do të firmoset nga prokurorët Sotir Kllapi dhe Arben Kraja. Ilir Meta ia ka faturuar përgjegjësinë e lobimit me para të pista Petrit Vasilit dhe Monika Kryemadhit, të cilëve Meta u la formalisht partinë pasi u emërua President nga Parlamenti.
Por, hetimet kanë konfirmuar se Ilir Meta ka drejtuar fiktivisht partinë, duke u kujdesuar edhe për lobimin me para të pista. Megjithëse kjo nuk është e vetmja aferë që Meta bashkë me Kryemadhin po hetohen nga SPAK. Këtu i bashkëngjitet dhe pastrimi i parave me operacionet plastike, shpenzimet e të cilave nuk i kanë deklaruar. Gjithashtu CEZ-DIA është drejt fundit. Vetë deputetja e Partisë së Lirisë konfirmoi ditën e djeshme se SPAK po i heton. Madje ajo tha se i kanë sekuestruar celularin. Por sipas Kryemadhit, ai është në kuadër të hetimeve për denoncimet e saj. “Asnjë pronë, as e imja as e familjarëve të mi nuk është sekuestruar. Çdo gjë tjetër që do flas ka të bëjë me inceneratorin. Kanë lidhje vetëm me inceneratorin. Nuk është sekuestruar asnjë gjë e familjarëve të mi. Celulari, send që ka lidhje me kallëzimet e mia. Mos u shqetësoni, Monika Kryemadhi nuk ka gjë për të fshehur. Libër i hapur është Monika Kryemadhi për ju. Madje më e hapur seç duhet. Lojën politike dhe strategjinë që përdor unë për të ardhur këtu, është një mekanizëm i fshehtë dhe stil që e mëson gjatë rrugës”, tha Kryemadhi.
Detajet
Detajet e reja nga hetimi i çiftit Meta-Kryemadhi nga SPAK, u zbuluan pas kërkesës që bëri Kryemadhi disa ditë më parë në gjykatë për heqjen e sekuestros për “provat materiale”. Thuhet se përgjime telefonike, kompjuterë, dokumenta shkresorë, telefona dhe materiale të tjera i janë sekuestruar për llogari të një nga 3 dosjet e hapura ndaj Metës dhe Kryemadhit. Në mënyrë shumë të fshehtë jo vetëm mediatikisht, SPAK ka kërkuar që të vendos sekuestro, por që Monika Kryemadhi e ka kundërshtuar.
Megjithatë Gjykata e Posaçme e rrëzoi kërkesën e bërë nga deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi për heqjen e sekuestros mbi provat e gjetura gjatë veprimeve hetimore të SPAK ndaj saj. Referuar listës së gjykatës, ku renditen proceset ditore, rezulton se ligjvënësja Kryemadhi, iu është drejtuar gjykatës me një kërkesë bazuar në nenin 222/3 të kodit të procedurës penale, nen që ka të bëjë me kundërshtimin e rezultateve të përftuara nga përgjimet. Padia që u shqyrtua nga gjyqtari Erion Çela, bazohet në nenin 222 të Kodit të Procedurës Penale, pika 3, që bën fjalë për përgjimet telefonike. Burime nga SPAK dhe GJKKO, nuk konfirmojnë zyrtarisht për çfarë bën fjalë konkretisht objekti i kërkesës, që mesa duket lidhet me sekuestrim telefoni, pajisjesh kompjuterike dhe provash të tjera. Jo zyrtarisht, mësohet se oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesën e prindërve të Monika Kryemadhit, ku kanë sekuestruar disa prova përfshirë edhe aparate celularë të cilët po i nënshtrohen ekspertimit.