Shkurti i ardhshëm shënon dy vjet që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Këto kanë qenë dy vite të vështira gjatë të cilave SHBA u shqua si mbështetësi më i madh i Kievit në betejën kundër trupave ruse.
Interesi për Ukrainën, megjithatë, duket se po pakësohet disi në Capitol Hill pasi shumë republikanë po rivlerësojnë prioritetet e tyre, duke i dhënë më shumë peshë çështjeve të tilla si sigurimi i kufirit SHBA-Meksikë dhe mposhtja e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.
Bazuar në ndodhitë e fundit në politikën e SHBA-së si dhe bllokimi i ndihmës ushtarake në Ukrainë, Financial Times shkruan një artikull për miqtë e mirë të Putinit në Kongresin Amerikan.
Por kush janë në të vërtetë pro-rusët amerikanë?
Korrespondenti i FT në SHBA klasifikon, veçanërisht, në këtë kategori ato që lidhen me institutin konservator amerikan “The Heritage Foundation”, i cili gjithashtu mban lidhje të ngushta me udhëheqjen e Viktor Orbán në Hungari, si dhe politikanët individualë të SHBA-së, si senatori republikan nga Ohio J. D. Vance.
“Ka njerëz këtu që thonë se ne duhet të shkurtojmë sigurimet shoqërore dhe të lemë gjyshërit tanë në varfëri. Pse? Në mënyrë që një nga ministrat e Zelenskyt të blejë një jaht më të madh?”, tha pak ditë më parë Vance, i cili madje thuhet se ka një pozicion të spikatur dhe të rangut të lartë në një administratë nën Donald Trump, nëse ky i fundit arrin të mbizotërojë në zgjedhje presidenciale në nëntor 2024.
Republikanët e kanë shprehur tashmë qëndrimin e tyre ndaj kësaj lufte. Ata kanë bërë si prioritet shpenzimet për sigurinë e kufirit SHBA-Meksikë dhe të mos dërgojnë më ndihma financiare në Ukrainë. Edhe krye republikani Donald Trump e ka shprehur disa herë qëndrimin e tij duke thënë se nëse ai do të ishte president kjo luftë nuk do të fillonte kurrë, dhe nëse ai kthehet sërish në qeveri sulmi rus në Ukrainë do të përfundojë për 24 orë.