Së shpejti falë një ligj të posaçëm bankat e nivelit të dytë do të detyrohen të ofrojnë shërbime me tarifa zero për llogaritë bankare për qytetarët e skemave të ndihmës ekonomike dhe pensionistët, duke synuar përfshirjen e tyre në sistemin financiar. Kjo është bërë e ditur dje nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, i cili prezantoi në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, për të cilin është punuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe në konsultim me Bankën Botërore. Gjatë fjalës së tij, ministri Mete u shpreh se projektligji synon hapjen e llogarive me shërbime bazike në bankat e nivelit të dytë për disa shtresa vulnerabël, duke siguruar shërbime me tarifa zero ose të diferencuara për këto shtresa. Ministri informoi se projektligji parashikon tarifa zero për kryerjen e disa shërbimeve që konsiderohen bazike si: hapja e llogarisë, mbyllja e llogarisë, tërheqja e fondeve përmes bankomateve, kryerja e pagesave si dhe transfertave brenda vendit, për një sërë kategorish vulnerabël, si: përfituesit e pagesës së papunësisë; familjet dhe individët që trajtohen me ndihmë ekonomike; përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personal të tyre; individët përfitues të statusit të invalidit dhe ndihmësit personal të tyre; individët përfitues të statusit të të verbrit dhe ndihmësit personal të tyre; invalidët e punës; jetimët që kanë përfituar statusin sipas ligjit, etj. “Për të gjitha këto kategori, në momentin që hapin llogari me shërbime bazike pranë bankave të nivelit të dytë, së pari ligji vendos detyrimin që banka të mos refuzojë hapjen e një llogarie pagese me shërbime bazike për të gjitha këto kategori, si edhe të ofrojë shërbime me tarifa zero për pjesën më të madhe të tyre, ose me tarifa të diferencuara për pjesën tjetër”, deklaroi ai. Po ashtu, ministri Mete theksoi faktin se projektligji synon nxitjen e përfshirjes financiare, reduktimin e përdorimit të pagesave cash në ekonomi dhe rritjen e digjitalizimit. “Synimi është jo vetëm të ketë nxitje të përfshirjes financiare dhe qasje ndaj sektorit bankar për këto kategori, por edhe reduktim të përdorimit sa më shumë të jetë e mundur të pagesave cash dhe rritje të digjitalizimit”, nënvizoi Meta.
Qëllimi dhe garancia
Ndërkohë zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali e pranishme në komision theksoi se, “përmes këtij pr/ligji, kemi qëllim të krijojmë kushte për mosdiskriminimin e konsumatorëve, të detyrojmë bankat të mos refuzojnë hapjen e një llogarie bazike veç rasteve të pastrimit të parave, evazionit fiskal apo financimit të terrorizmit”. Ndërsa Drejtori i mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë Deniz Deralla garantoi se të gjitha llogaritë do jenë në sitën dhe ato do të lejohen vetëm në monedhën lek. “Sigurisht kemi menduar që llogaritë që do të hapen, do t’u nënshtrohen kontrolleve për parandalimin e veprimtarive si pastrimi i parave apo evazioni fiskal. Duhet theksuar se llogaritë do të hapen vetëm në monedhën Lek, jo në monedha të huaja”, u deklaroi Deralla. Ndërkaq, pas diskutimit nga ana e deputetëve, komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin. Sakaq, sipas të dhënave të siguruara nga gazeta “SOT”, aktualisht janë 73.950 pensionistë që marrin pensionin përmes bankave dhe 666.300 e marrin në postë. E thënë ndryshe, vetëm 10 për qind e pensionistëve marrin pensionin përmes bankave tregtare, kategori e cila do të përfitojë shërbime me zero komision, duke filluar nga komisioni i mirëmbajtjes së llogarisë i cili është mesatarisht 150 lekë në muaj apo 1800 mijë lekë në vit. Vetëm nga komisioni i mirëmbajtjes së llogarisë, kategorisë së pensionistëve do t’u kursehet në total një shumë prej 133 milionë lekësh në vit.
Flasin ekspertët
Por nga ana tjetër, pas thuajse 9 vitesh nga reforma e ndërmarrë, qeveria po risheh mundësinë për ndryshimin e skemës së pensioneve. Eksperti i Sigurimeve Shoqërore Naim Hasa parashtroi në një studio televizive opsionet e mundshme. Sipas tij, reforma e 2014-s e përmbushi misionin e saj dhe tani ka ardhur koha që të vendoset sistemi vetëkapitalizues i detyruar, ç’ka do të kërkojë një ndarje të kontributit në dy pjesë, një kontribut shoqëror që do duhet të përballojë sistemin aktual të pensioneve dhe nje pjesë kontribut individual, që do derdhë në llogaritë e veta të fondit të pensioneve. Por nevoja për të ndërhyrë në ligj ka të bëjë jo vetëm me faktin që skema vijon të jetë deficitare, aktualisht niveli i deficitit është 2.24% e prodhimit të brendshëm bruto, por edhe me faktin që masa e përfitimit apo niveli i të ardhurave të një pensionisti vijon të jetë i ulët. Më tej Hasa theksoi se deficiti në skemë është pasojë e drejtëpëdrejtë, veç papunësisë, informalitetit apo edhe mosdeklarimit real të pagave, edhe e skemës së kontributeve për të vetëpunësuarit. Aktualisht fermerët paguajnë shumë herë më pak në raport me të vetëpunësuarit në qytet por masa e përfitimit apo e pensionit është e njëjtë. Veç kësaj problem është edhe pjesëmarrja e ulët, çka do të thotë se vetëm 10 për qind e fermerëve derdhin sot kontribute. Nisur nga masa e ulët e pensionit për ata të cilët janë aktualisht në skemë por edhe ata të cilët dalin rishtazi, eksperti i sigurimeve shoqërore thotë se ky është momenti i duhur për miratimin e minimumit jetik, që do t’ju jap mundësi të moshuarve që të kenë pensione dinjitoze.