Një pjesë e fondeve të BE-së, për Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, nga ku 1 miliardë euro pritet t’i përfitojë Shqipëria, do të shkojnë për biznesin dhe përmirësimin e tij.
Ministri Financave dhe Ekonomiksë, Ervin Mete, mblodhi Këshillin e Investimeve, ku nisi konsultimi i Programit të Reformave Ekonomike 2024-2026.
Sipas raporteve gjatë vitit 2023, ka pasur një rritje të investimeve të huaja direkte në 1.1 miliardë euro për 9-mujorin, uljen e papunësisë në 10.5 % dhe rritjen e pjesëmarrjes në forcat e punës në shkallën 76.1%, si dhe zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit ku numri i vizitorëve deri në nëntor arriti në 9.5 milionë.
Gjithashtu ministri informoi se ka kërkuar nga Administrata Tatimore që të trajtojë me përparësi dhe në mënyrë të përshpejtuar procedurat e rimbursimit të TVSH-së, për të gjitha bizneset, për të mos pasur detyrime të mbartura për vitin e ardhshëm.
Komisioni Europian publikoi pak javë më parë Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili parashikon 6 miliardë euro fonde për 3 vitet e ardhshme. Nga këto fonde, Shqipëria pritet të përfitojë rreth 1 miliardë euro, në varësi të progresit dhe avancimit të reformave.
“Përfshirja sa më e gjerë e komunitetit të biznesit në formësimin e këtyre reformave do të krijojë baza më të qëndrueshme për arritjen e objektivave”, tha ministri, ndërsa shtoi se synohet zgjerimi i mëtejshëm i anëtarëve të Këshillit të Investimeve me përfaqësim sa më të gjerë nga komuniteti i biznesit, si një forum i rëndësishëm në dialogun dhe bashkëpunimin Qeveri-Biznes.