MENU
klinika

Fjalën e fundit e ka Gjermania

Arabia Saudite “blen” edhe Evropën!

17.12.2023 - 09:58

Bota nuk i përket më vetëm dy apo tre fuqive. Të gjithë ekspertët e politikës së jashtme, biden dakord se bota në të cilën po jetojmë, është shumëpolare, pra një sistem global që nuk dominohet nga Perëndimi ose nuk përcaktohet si një luftë midis dy fuqive të mëdha, siç ishte gjatë Luftës së Ftohtë. Dhe në këtë tablo superfuqish, po spikat Arabia Saudite, një lojtar shumë më aktiv global, duke përdorur fuqinë e saj financiare të ushqyer me naftë për të shtuar tregtinë dhe investimet e saj ndërkombëtare dhe për të fituar ndikim në mbarë botën. Dhe ndikimi i saj ka arritur deri në Evropë, ku ashtu siç merret me mend, paratë janë shumëçka. Një marrëveshje miliona dollarëshe ka përçarë Britaninë e Madhe dhe Francën, dhe tani një rol kyç ka Gjermania.

Negociatat me Francën

Arabia Saudite po negocion blerjen e 54 avionëve luftarakë Dassault Rafale, ka konfirmuar një kompani franceze e mbrojtjes. Nëse negociatat konkludohen, Arabia Saudite do të finalizojë një flotë shumëkombëshe shumë mbresëlënëse të avionëve luftarakë të përparuar të gjeneratës së katërt që do të përfshinte Rafale, F-15SA të Boeing dhe Eurofighter Typhoon. Por do të përfaqësonte gjithashtu goditje serioze për Mbretërinë e Bashkuar, e cila kishte një aksion në konsorciumin Eurofighter përmes kompanisë së saj shumëkombëshe të mbrojtjes BAE Systems. Megjithëse Arabia Saudite ka blerë më parë pajisje ushtarake franceze, nevojat e saj kur bëhet fjalë për aviacionin luftarak për një kohë të gjatë janë plotësuar kryesisht nga burimet e përbashkëta të Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Por vështirësitë në sigurimin e një porosie të re Typhoon duket se i kanë dhënë Dassault mundësinë për të ofruar Rafale-n e saj. Përkatësisht, për një kohë të gjatë pritej që Arabia Saudite të blinte më shumë Typhoon, përmes një marrëveshjeje që do ta bënte britanikja BAE Systems me ta.

Roli i Gjermanisë

Megjithatë, duke qenë se Eurofighter është një kompani shumëkombëshe, biznesi, përkatësisht eksporti i avionëve, duhet të miratohet nga partnerët e tjerë: Gjermania, Italia dhe Spanja. Në gjithë këtë, Gjermania është problemi. Vendi, i cili ka një aksion në Eurofighter përmes krahut gjerman të Airbus, ka bllokuar vazhdimisht shitjet e mëtejshme të Typhoon në Arabinë Saudite, duke përmendur shqetësimet për abuzimet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe roli i Arabisë Saudite në luftën në Jemen.

Në tetor, CEO i Airbus Guillaume Faury, kritikoi qeverinë gjermane për qëndrimin e saj të ashpër ndaj eksporteve të armëve, që përfshin shitjen e Typhoon në Riad. Por, mbi të gjitha, pozicioni gjerman u dëshmua se ishte një “gjemb në këmbë” për BAE Systems dhe qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, të cilët janë përpjekur të finalizojnë një marrëveshje fitimprurëse me Arabinë Saudite për 48 Typhoon të tjerë që nga viti 2018. Kryeministri britanik Rishi Sunak dyshohet se e diskutoi këtë çështje me Olaf Scholz verën e kaluar.

Përçarje në BE

Deri në tetor, britanikët kishin filluar të kishin frikë se Rafale po bëhej një rival serioz në përpjekjet saudite për të blerë luftëtarë të rinj. “Është një proces konkurrues tenderimi”, tha një zyrtar britanik. “Ne nuk jemi të kënaqur me këtë. Është një rrezik i madh për Mbretërinë e Bashkuar nëse e trajtojmë ofertën franceze vetëm si diçka që vetëm do të testonte forcat tona”, tha një tjetër zyrtar. Javën e kaluar, CEO i Dassault Trappier ra dakord se “Arabia Saudite ka blerë tradicionalisht britanikët”; avionë, por ai Dassault ishte shumë i hapur dhe fleksibël në afrimin e Riadit.

Ai nuk iu referua drejtpërdrejt përplasjes gjermano-britanike për Typhoon, por vuri në dukje se interesi për Rafale ishte “i pavarur nga kriza në Lindjen e Mesme”. Nëse do të realizohej marrëveshja e Rafale mes Dassault dhe Arabisë Saudite, do të ishte një humbje e madhe për Eurofighter, ndërsa nga ana tjetër do të nënkuptonte forcimin e vazhdueshëm të pozitës së Rafale në tregun e eksporteve. Rafale tashmë ka një prani të konsiderueshme në Lindjen e Mesme me shitje në Egjipt, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.