MENU
klinika

Shtyhet seanca

Mjacaj refuzon të tregojë kush e porositi

18.12.2023 - 10:49

Prokuroria Elbasan kërkon masën e arrestit në burg për Sokol Mjacaj dhe për 12 zyrtarët e burgut Peqin të ndaluar. Sot duhet të dilnin në gjykatën e Elbasanit për vleftësimin e ndalimeve dhe caktimin e masës së sigurimit personat e arrestuar por seanca u shty. Sokol Mjacaj, autori i ekzekutimit të Arben Lleshit ka refuzuar të pendohet dhe të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.

Të shtunën, një ditë pasi Sokol Mjacaj ekzekutoi në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit Arben Lleshin dhe plagosi shokun e qelisë Indrit Shaqja, prokuroria e Elbasanit urdhëroi arrestimin e drejtorit të burgut Kamber Hoxha dhe 11 punonjës pjesë e zinxhirit komandues.

Ata akuzohen se nuk kanë ushtruar kontroll ndaj të burgosurit. Arma e përdorur nga i dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjaçaj, me të cilën kreu ekzekutimin e Arben Lleshajt, mund të jetë futur dorazi në ambientet e burgut në bashkëpunim me punonjës të policisë.

12 të ndaluarit për “shpërdorim detyre” janë;

-Drejtori i burgut, Kamber Hoxha 59 vjeç

-Shefi i policisë së burgut Qani Muç, 60 vjeç

-Ish-shefi i policisë së burgut Nikolin Gjonpali, 54 vjeç

-Shefi i regjimit në burg Vilson Shima, 37 vjeç

-Specialisti i informacionit në sallën operative të burgut Arben Dulellari, 52 vjeç

-3 policë shërbimi Ilir Balla, 46 vjeç, Florene Mile, 43 vjeç, Fatos Pire, 50 vjeç,

-4 policë të burgut Genci Muça, 49 vjeç, Klement Haka, 44 vjeç, Erjon Çila, 36 vjeç, Indrit Dubali, 41 vjeç.