Ë- I dënuari përjetë Indrit Shaqja dyshohet se ka bashkëpunuar me Sokol Mjacaj për vrasjen e Arben Lleshit brenda burgut të Peqinit më 15 dhjetor. Burime nga organi i akuzës konfirmuan për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi se tashmë Prokuroria e Elbasanit ka ngritur akuzë për Indrit Shaqjen, i cili ditën e vrasjes mbeti i plagosur në këmbë.
Pritet që Prokuroria t’i drejtohet gjykatës me kërkesën e masës së sigurisë ‘arrest në burg’ për Indrit Shaqjen, pasi ka dyshime se ka bashkëpunuar për vrasjen e shokut të dhomës Arben Lleshi, teksa po verifikohen rrethanat e implikimit të tij.
Ndërkohë, katër ditë pas vrasjes së Arben Lleshit, Indrit Shaqjes i është gjetur një telefon. Vrasja ka ndodhur më 15 dhjetor, dhe më pas në datë 19 dhjetor është rikëqyrur sërish vendi i ngjarjes dhe Report Tv mëson se në qeli është gjetur një arkë druri brenda së cilës kishte një telefon celular që i përkiste Indrit Shaqjes. Ky i fundit gjatë marrjes në pyetje ka pranuar pronësinë e tij.
Në dosjen e ngjarjes thuhet se Shaqja lajmëroi Lleshin se po e kërkonin tek dritarja e qelisë kur Mjacaj qëlloi ndaj tij me armë. Ndërkohë policët e burgut kanë dëshmuar se Shaqja e ka ndjekur Mjacajn deri në korridor pas vrasjes duke i thënë pse më vrave shokun.
Shaqja është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 2 të moshuarave, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, kunata me njëra-tjetrën. Shaqja në bashkëpunim me Velson Elmazin dhe Artur Kaçanollin në datën 2 shtator 2014 kanë hyrë në banesën e dy kunatave, për të vjedhur sende më vlerë dhe para dhe i kanë torturuar deri në vdekje viktimat.