Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani u ka dërguara dje një mesazh të fortë armiqve të drejtësisë, duke garantuar se institucioni që ai drejton do të shkërmoqë të korruptuarit e inkriminuarit në Shqipëri. Qysh kur ku ardhur në krye të SPAK, prokurori i “hekurt’ Dumani i ka shpallur luftë me zero tolerancë krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke hyrë në histori si njeriu që tronditi nga themelet ata që deri më dje cilësoheshin si të “paprekshëm”. Por kjo vendosmëri e çeliktë e zotit Dumani, i cili ka goditur majtas dhe djathtas politikanët e pushtetarët e përfshirë në zullume, nuk është pritur mirë, veçanërisht nga kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, të cilët herë pas here kanë hedhur akuza ndaj drejtësisë së re, ndërkohë që kanë shantazhur prokurorët dhe gjyqtarët specialë. Por këto presion janë injoruar nga Dumani. Ky i fundit ishte dje i pranishëm në tryezën e organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes ku mori pjesë edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato, teksa theksoi se ai dhe institucioni që drejton janë të palëkundur dhe imunë ndaj retorikës politike, për t’u shkuar të gjitha hetimeve deri në fund. “Retorika politike apo presioni mediatik tek unë si drejtues nuk ka asnjë lloj ndikimi. Jam imun nga retorika politike e përditshme dhe reagimet mediatike. Këtë përpiqem të përcjell tek trupa e prokurorëve të SPAK. Nuk kanë asnjë lloj ndikimi në punën time si drejtues, por as të prokurorëve dhe hetuesve. Nuk më shqetëson retorika politike në raport me hetimin. Kemi garancitë kushtetuese të ushtrojmë ndjekjen penale”, deklaroi Dumani gjatë fjalës së tij. Po ashtu, kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur se çfarë mase do të kërkojë për Sali Berishën. “Është në vlerësimin e prokurorëve. Prokurorët e çështjes e dinë”, u shpreh ai.
Korrupsioni
Ndërkohë kreu i SPAK, Altin Dumani teksa foli për hetimet e ndërmarra ndaj çështjeve korruptive, shkeljes së barazive në tendera apo shpërdorimit të detyrës, tha se kërkohet një kohë shumë të gjatë për përdorimin e teknikave speciale. Ai shtoi se çështjet që hetohen nga SPAK nuk krahasohen me ato që hetohen nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. “SPAK është përpjekur të ndërtojë marrëdhënie të mirë me shoqërinë civile dhe do të vazhdojmë të jemi bashkëpunues. Shumica e çështjeve të SPAK kërkojnë afat të gjatë, ka shtyrje të senacave dhe zvarritje te hetimit. Çështjet me 20 të pandehur krijojnë shtyrje. Sidomos çështjet me natyrë korruptive dhe shkelje e barazisë në tendera, apo edhe shpërdorimi i detyrës kërkojnë kohë shumë të gjatë, por edhe teknika speciale. Nuk krahasohet një çështje e SPAK me një çështje të prokurorive te juridiksionit të përgjithshëm. Sa i takon transparencës ne jemi përpjekur aq sa ligji na lejon te jemi transparent me publikun dhe të gjitha i kemi publikuar në faqen e SPAK. Ka njoftime të rralla kur interesi publik është shume i madh dhe ne kemi reaguar. Nuk më shqetëson retorika politika në raport me hetimin. Ne jemi imun ndaj politikës. Një SPAK funksional që është i plotësuar në organik. Kemi pasur mbështetje buxhetore, edhe pse kërkesat nuk mbarojnë”, nënvizoi Dumani, duke treguar se asnjë presion nuk e zmbrapsë atë dhe kolegët e tij për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe vendosur shtetit ligjor.