Situata e sigurisë në Kosovë po përkeqësohet dukshëm dhe NATO po e shton praninë e saj në pranverë, edhe me ndihmën e Bundeswehr–it – forcat e armatosura të Gjermanisë.
Gjeneral brigade Bundeswehr–it Ralf Hammerstein, ka thënë për Die Welt se si nacionalistët po mobilizohen në Serbi dhe pse situata e paqëndrueshme në Ballkanin Perëndimor po plotëson dëshirat e Rusisë së drejtuar nga Vladimir Putin.
“Kanë kaluar gati 25 vjet që kur NATO ndërhyri në ish-Jugosllavi në vitin 1999 dhe detyroi trupat serbe të tërhiqeshin nga Kosova. Më pas, Aleanca instaloi misionin KFOR për të stabilizuar situatën dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot e kësaj dite. Edhe më shumë ushtarë do të nevojiten përsëri në të ardhmen”, shpjegon gjeneral brigade Ralf Hammerstein, i cili ka këshilluar ushtarakisht Qeverinë e Kosovës si drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s që nga prilli 2023.
Hammerstein tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk po përparon siç duhet, teksa shton se asnjë kufi në Ballkanin Perëndimor nuk do të mund të ekzistojë me mirëbesim.
“Janë të gjitha shtete të reja këtu në Ballkanin Perëndimor dhe pothuajse të gjitha qeveritë po ndjekin një drejtim nacionalist. Nëse shikoni prapa në historinë e konfliktit jugosllav, do të shihni se ka autorë dhe viktima nga të gjitha anët. Ka kufij etnikë që janë vendosur. Ky etno-nacionalizëm, megjithatë, është e kundërta e pajtimit.
Për sa kohë që shpallen ide të tilla si Serbia e Madhe apo Shqipëria e Madhe dhe këto nuk janë narrativa të asnjë ekstremisti asnjë kufi nuk do të mund të ekzistojë me mirëbesim”, ka thënë gjenerali gjerman, transmeton KP.
Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi po ndjekin një politikë të sovranitetit dhe reciprocitetit maksimal, e cila çon në konflikte të tilla sikurse mosmarrëveshja e targave në nëntor të vitit të kaluar.
“Beogradi ndaloi hyrjen e targave kosovare dhe qeveria e re në Prishtinë ka reaguar në përputhje me rrethanat për të mbështetur sovranitetin e saj. Kjo pikë grindjeje në dukje teknokratike çoi në tërheqjen e zyrtarëve serbë të Kosovës nga të gjitha institucionet dhe në zgjedhje të reja në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga popullata serbe e Kosovës.
E gjithë kjo çoi në trazira të dhunshme në maj të këtij viti dhe më në fund në një përleshje ndërmjet ushtarëve të KFOR–it dhe demonstruesve serbë, në të cilën u plagosën më shumë se 90 ushtarë të KFOR–it, disa prej tyre në gjendje të rëndë”, tha ai.