Mediat greke shkruajnë se largimi i Jorgo Goros është një fitore e Mitsotakis. Sipas tyre, presionet e kryeministrit grek po detyrojnë homologun shqiptar të zbythet…
Vendimi i Ramës për të larguar Jorgo Goron nga Bashkia e Himarës ka bërë bujë në mediat greke. Dukej qartë që lëvizja e tij ishte për të qetësuar Athinën, pasi kryeministri po jep sinjale se mund të ketë zgjedhje të reja në këtë bashki, duke qenë se Fredi Belerit i është mbyllur çdo lloj dere për t’u betuar. Madje në korridoret e politikës është folur gjatë se do kemi zgjedhje te reja dhe flitet se mund të kandidojë djali i Fredi Belerit.
Megjithatë mediat greke shkruajnë se largimi i Jorgo Goros është një fitore e Mitsotakis. Sipas tyre, presionet e kryeministrit grek po detyrojnë homologun shqiptar të zbythet.
“Protothema” analizon 3 pikat e postimit të Ramës në rrjetin social X, duke theksuar se kryeministri shprehet se vetëm gjykata mund të lejojë betimin e Belerit si kryebashkiak i Himarës.
“Një zhvillim shumë i rëndësishëm për perspektivën e zgjidhjes së çështjes Beleri është shënuar sot, nisur nga vendimi i gjykatës shqiptare që e njeh zotin Beleri si kryetar të zgjedhur të Bashkisë së Himarës dhe nënvizon se i zgjedhuri i tij Edi Ramës, Jorgo Goro nuk ka legjitimitet ushtrojnë detyrën e kryebashkiakut. Gjëja më interesante është se kryeministri shqiptar ka reaguar për këtë çështje përmes rrjetit “X”, pas diskutimit të fundit që pati me Kyriakos Mitsotakis në margjinat të Këshillit Europian në Bruksel pak ditë më parë”, shkruan media greke.
Në të njëjtën linjë është edhe “CNN” grek. Sipas rrjetit mediatik, gjykata shqiptare shprehet se Jorgo Goro nuk mund të jetë në krye të bashkisë. Por fakti që Rama e pranon këtë vendim, është një njohje nga Rama e Fredi Belerit si kryetar bashkie.
“Burime kompetente theksojnë se arsyetimi i vendimit të sotëm të gjykatës shqiptare konfirmon se Fredi Beleris u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës dhe se kandidati i mundur Goro nuk mund të vazhdojë të jetë kryetar bashkie.
Pranimi i arsyetimit të vendimit nga kryeministri shqiptar është një hap i rëndësishëm në procesin e kalimit të pushtetit në Bashkinë Himarës deri në përfundimin e procesit gjyqësor”, thekson CNN.
Në të njëjtën linjë janë dhe media të tjera greke, që e cilësojnë si një fitore vendimin e gjykatës dhe qëndrimin e Ramës.